Duket se procesi i Brexit ka hyrë në një rrugë pa krye dhe situata sa vjen e ndërlikohet.
Partitë opozitare në Britaninë e Madhe kanë rënë dakord të mos e mbështesin kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për zgjedhje të përgjithshme përpara një samiti të Bashkimit Evropian, në mes të tetorit.
Opozita, me në krye dy partitë më të mëdha: Laburisët dhe Demokratët Liberalë, tha se do të votojë kundër qeverisë ose do të abstenojë në votimin e së hënës për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme.
Johnson tha se partitë po bëjnë një “gabim të jashtëzakonshëm politik”.
Ai do që zgjedhjet të zhvillohen më 15 tetor, përpara samitit në Bruksel më 17 dhe 18 tetor.
Sipas tij, një gjë e tillë do t’i mundësonte qeverisë të realizojë Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, më 31 tetor.
Data e Brexit është shtyrë dy herë dhe kryeministri deklaroi ditën e djeshme se ai më mirë vdes se sa të kërkojë një tjetër shtyrje të procesit.
Johnson këmbëngul se procesi duhet të realizohet në fund të muajit të ardhshëm, me ose pa marrëveshje me BE-në.
Por, një gjë e tillë kundërshtohet nga shumica e deputetëve në Parlamentin britanik, të cilët miratuan një projektligj që e parandalon largimin e Britanisë pa marrëveshje.
Të hënën deputetët do të votojnë një mocion për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Votimi për zgjedhje të parakohshme është caktuar pak para se puna e parlamentit të pezullohet – nga java tjetër deri në 14 tetor./real-news.tv/

