Ç’dekretimi i zgjedhjeve, Braçe thumbon Metën

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka folur në foltoren e Parlamentit për dekretin e Metës për shfuqizimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale.

Ai ka thumbuar presidentit Meta duke i kujtuar Kushtetutën, por edhe paratë e pista.

“Në këtë vend, ka pak ditë që është bërë e modës të kërkosh në rafte e dollape, në ato që deri dje, ose ishin bosh, ose mbaheshin verë, shampanjë, pije alkoolike, uiski, xhin, e madje edhe para të pista, të kërkosh Kushtetutën, të mbash në dorë Kushtetutën, të bësh poza me të, të komentosh mbi të, të thuash gënjeshtra, ti bësh të gjitha këto, me pasion me forcë… vetëm nuk lexon Kushtetutën”, tha Braçe në Kuvend.

Më tej, ai tha se pushtet pa zgjedhje nuk ka.

“Zgjedhjet nuk mund të pezullohen pavarësisht ofiqit dhe madhësisë së zyrës që ka. Krim më të madh Kushtetues se ky nuk ka. Zgjedhjet në këtë vend, edhe në aktin më të rëndë në ’96-ën janë dhunuar e manipuluar por e drejta themelore për të votuar nuk është hequr as atëherë”, tha Braçe./real-news.tv