Opozita do të mblidhet sot pasdite në orën 20:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me të njëjtën kërkesë, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Kjo e sotmja është protesta e 9-të kombëtare e opozitës, ndërsa “beteja” mes qeverisë, Presidentit dhe opozitës për zgjedhjet e 30 qershorit, vijon të jetë tejet e ndezur .
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar dhe përsëritur për të disatën herë se nuk mund të ketë zgjedhje të njëanshme pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërsa nuk ka munguar apeli i tij drejtuar të gjitha palëve, që të punojnë intensivisht për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Përgjimet e publikuara të gazetës gjermane “Bild” zbuluan biseda të ndryshme të zyrtarëve të Partisë Socialiste, mes tyre dhe kryeministri Edi Rama. Në materialet audiopërgjuese ata shfaqeshin duke biseduar për pazare elektorale në Durrës dhe në Dibër, ndërsa nuk mungonin presionet dhe shantazhet ndaj votuesve.

