CECA e Arkanit dhe Radio-Televizioni i të Shushaturve

Ditët e fundit në Radio Televizionin Shqiptar, në një nga programet, ka transmetuar këngë të këngëtares serbe, Cece të cilat nuk janë pritur mirë nga publiku.

Por, si mund të ndodhë një gjë e tillë, aq më tepër në një televizion kombëtar, për të cilin ne të gjithë paguajmë taksa një më një?

E për çfarë, për të dëgjuar këngët e një pseudo-këngëtareje, e cila s’ka bërë gjë tjetër, veçse sa herë i është dhënë rasti, ka bërë thirrje kundër Kosovës, e për më tepër, gruaja e një krimineli serb.

Po mirë more të dashur punonjës të RTSH-së, mirë që shkoni me të emëruar aty, se gjë s’dini të bëni, por të paktën njeriu e merr mundimin të bëjë një ‘search’ të thjeshtë në ‘Google’, që të paktën të marrë vesh çfarë është kjo këngëtare, i thënçin…

Po normal, për aq kohë sa merrni rrogën dhe askush s’ju kërkon llogari, përse ta vrisni mendjen ju? Mbushni programin, merrni ato lekë dhe oburra në shtëpi apo kefene.

Reagimi i AMA-s

E për këtë arsye, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Autoritetit të Medias Audiovizive, i cili ka marrë së fundmi një vendim dhe i kanë tërhequr vërejtje RTSH-së për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, e cila ka bërë gjithmonë thirrje kundër Kosovës.

“Ditën e shtunë në kanalin RTSH 2 gjatë orarit të transmetimit me muzikë në gjuhën e pakicave u transmetuan këngë të këngëtares serbe Ceca, e cila i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Kosovën.

Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.

Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Për AMA, programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën”, thuhet në reagimin e AMA-s.

Gruaja e Arkanit

Krimineli i njohur serb Zheljko Razhnjatovic i njohur si Arkani është një nga figurat më të tmerrshme që ka njohur ndonjëherë Ballkani. Arkani njihet edhe si udhëheqësi i njësisë ushtarake “Tigrat”, që akuzohet për masakra gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Herzegovinë dhe Kosovë.

Zheljko Razhnjatovic u martua me Svetlana Raznatovic, e njohur si Ceca, një nga këngëtaret më në të Serbisë dhe së bashku kanë një vajzë, Anastasija, e cila ekspozon jetën luksoze në rrjetet sociale. (REDAKSIONALE – REAL NEWS)