Çfarë e bën bashkë PS-në dhe PD-në në memorialin turk?

Ngritja e memorialit në kujtim të të vrarëve që mbrojtën Erdoganin gjatë grushtit të shtetit në Turqi nuk ka qenë një punë vetëm e bashkisë së Tiranës. Por, duket se është përfshirë e gjithë politika shqiptare bashkë me shoqërinë civile nga pas.

Memoriali i vendosur në kodrat e Liqenit në kryeqytet ngjalli reagime të shumta tek njerëzit, ku shumica e kritikuan dhe e dënuan duke e cilësuar si një akt krejt të pakuptimtë.

Megjithatë, edhe pse në vetvete memoriali duket një akt i pakuptimtë për Shqipërinë, duket se gjithçka qëndron shumë përtej një kokëkrisje të bashkisë së Tiranës për të ngritur një memorial kushtuar disa të rënëve në grushtin e shtetit në Turqi.

Duke parë një angazhim të politikës shqiptare si majtas dhe djathtas, ngritja e memorialit duket se lidhet më shumë me një qasje gjeostrategjike të Turqisë në Ballkan, edhe pse kjo nuk sjell asnjë fitim për ne. Ndryshe nga ç’ndodh me Serbinë, ku Turqia ka investuar rreth 1.4 miliardë dollarë, ndërsa në Shqipëri ngre memoriale të të rënëve në mbrojtje të një autokrati si Rexhep Taip Erdogan.Është vërtet e çuditshme se si politika dhe shoqëria civile angazhohet në një absurditet të tillë, ku në ceremoninë përkujtimore të grushtit të shtetit merrnin pjesë përfaqësuesi i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku, dhe nga radhët e shoqërisë civile, karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu.

Kjo shpjegon edhe heshtjen e opozitës ndaj këtij absurditeti pasi ajo ishte vetë palë bashkë me nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku.

Kam ngulitur fort në memorien time momentin kur presidenti (Recep Tayyip Erdoğan) iu drejtua popullit turk. Kur vendoset në balancë demokracia karshi forcës vendimi i tij ishte i kthjellët dhe i qartë. Mësimi më i madh i asaj ditë për të gjithë historinë është sesa i dobët është tanku, avioni, helikopteri sesa e dobët duket forca përballë fuqisë së njerëzve. Unë besoj se nuk ka mësim më të fortë për demokracinë në të gjithë botën sesa ky moment“, tha atë ditë Mazniku, një ligjërim që i ngjan me qasje thjesht propagande.Bujar Kapexhiu, i cili përshëndeti në emër te organizatave të shoqërisë civile, theksoi se si rrallë herë në historinë politike të botës grushti i shtetit dështoi.

Populli turk iu përgjigj menjëherë thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan për rezistencë dhe si një trup i vetëm i vuri gjoksin tankeve. Nuk ka ndodhur kurrë në botë që të ndalet e keqja duke u bashkuar i madh dhe i vogël, me miliona njerëz pa dallim bindjesh politike me vetëmohim të rrallë, gati për të dhënë edhe jetën për të mbrojtur demokracinë. Heroizmi i popullit turk bëri që ata të kapen në flagrancë. Kjo ishte një fitore e madhe e popullit dhe një dështim i turpshëm i komplotit të përgatitur në fshehtësi prej dekadash nga lëvizja FETO dhe ithtarët e ideologjisë së saj të sëmurë”, tha Kapexhiu.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, i cili tha se Turqia është një vend mik, vëlla dhe një partner i jashtëzakonshëm strategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dje, sot dhe “besoj për sa kohë historia do t’i lë këto vende të kenë jetë dhe ekzistencë”.

Kujtoj njerëzit të kapur për krah dhe rreshtuar përballë tankeve për lirinë, dinjitetin njerëzor dhe demokracinë e tyre. Atë ditë populli turk e bëri detyrën e vet karshi lirisë dhe vlerave të tij. Çdo qytetar i atij vendi (Turqisë) sot duhet të ndihet krenar. Shembulli i këtyre 251 dëshmorëve qoftë një frymëzim dhe një forcë për çdo popull dhe çdo individ që çdo ditë të ngrihet dhe luftojë për lirinë e tij, që kur njerëzimi eksiton mbi tokë kjo është vetmja rrugë për të mbrojtur dinjitetin, lirinë, dhe demokracinë“, tha Çollaku.

Pra, të tria fjalimet ngjasojnë me një mirëkoordinim të politikës dhe shoqërisë civile për t’i bërë ‘qokën’ Erdoganit duke i ngritur memorial njerëzve që ranë për të mbrojtur pushtetin e tij. Turqia po investohet në Shqipëri në forma krejt të çuditshme dhe aspak në sektorin e ekonomisë, ku vendet e Ballkanit, një ndër to Serbia është duke vjelur investimet turke, ndërsa shteti shqiptare ngre memoriale absurde në një konflikt të brendshëm dhe krejt pa asnjë lloj interesi për shqiptarët./real-news.tv/