Dekorimi i turpit në Presidencë/ Ambasadorja greke punon kundër Shqipërisë, Ilir Meta i jep ‘Urdhrin e Skënderbeut’

presidenti-meta-ambasadorja-greke-1024x682.jpg

Në një akt krejt të paprecedentë, Presidenti i vendit Ilir Meta dekoroi ambasadoren e Greqisë Eleni Sourani, me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” është një nga medaljet e nivelit më të lartë që lëshon kreu i shtetit për personat që me veprimtarinë e tyre kanë kontribuar për Shqipërinë.

Natyrshëm lind pyetja; po ambasadorja e Greqisë Eleni Sourani çfarë kontributi ka dhënë për Shqipërinë?

Sipas Metës, ky dekorim bëhet me motivacionin “në vlerësim të veprimtarisë së spikatur diplomatike dhe kontributit të çmuar për avancimin e gjithanshëm dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Helenike, në pasurimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve tanë fqinj, si dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit evropian të vendit tonë“.

Një motivacion i gjithi klishe, fjalë boshe dhe pa asnjë shpjegim për rolin konkret të ambasadores Sourani.

Ambasadorja Sourani është një diplomate që përfaqëson interesat e shtetit grek në vendin tonë dhe asgjë më shumë.

Madje, nëse i hedhim një sy veprimtarisë së saj politike për interesat e shtetit grek ajo ka treguar shpeshherë agresivitetin e Athinës zyrtare në çështje shumë të mprehta që kanë të bëjnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ndër çështjet për të cilat Sourani i ka pasur më për zemër është çështja e Marrëveshjes së Detit dhe Çështja Çame, ku për këtë të fundit ka thënë disa herë se ajo nuk ekziston.

Ajo ka lëshuar shpeshherë deklarata të forta, duke kërkuar trajtim të veçantë për banorët e Himarës, për të cilët sipas saj shteti grek është i vëmendshëm për të gjitha zonat minoritare dhe jo vetëm Himara.Gjithashtu ndaj dekorimit ka reaguar edhe ‘Shoqata Çamëria’, e cila i kërkon presidentit Meta që ta tërheqë menjëherë dekorimin pasi ne “nuk dimë për cilat merita të veçanta dekorohet një individ i cili ka bërë të pamundurën të minojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritarëve, siç ishte rasti i Kacifas. Kur ka kërkuar heqjen e pllakës së Çamërisë nga sheshi Skënderbej, kur ka mohuar e përdhosur vuajtjet e këtij komuniteti duke i njehsuar si palë me nazizmin gjerman, e në të gjitha rastet e tjera kur ka patur rol thjesht luftënxitës në problemet delikate e ende të pazgjidhura mes dy vendeve?”

https://real-news.tv/dekorimi-i-ambasadores-greke-shoqata-cameria-meta-te-heqe-titullin-urgjent/

Për çështjen e kufijve detarë, ambasadorja është shprehur në intervistë të do kohe më parë se ‘kjo nuk është një çështje e pazgjidhur, përderisa ka një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2009, e cila u hartua me kujdes dhe bazuar në Konventat e OKB-së dhe ligjin e Detit dhe që në vështrimin tonë i shërben interesave të të dyja vendeve”.

 

Ndërkohë që pakti detar Berisha-Karamanlis i firmosur nga ish-ministrat e jashtëm Basha dhe Bakojanis u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese që do të thotë se është një marrëveshje pa asnjë vlerë për qeverinë shqiptare.

Duke analizuar të gjitha deklaratat e mësipërme të ambasadores Sorani, shumëkush mund të pyes se çfarë kontributi ka dhënë për Shqipërinë që duhet të dekorohet me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”? Apo ndoshta për mbjelljen e 150 rrënjëve ullinj në parkun të Liqenit Artificial dhe atij të Farkës bashkë me Erion Veliaj në marsin e vitit të kaluar. Sepse vetëm ky është kontributi i vetëm ambasadores greke për vendin tonë.

Ky është akti i dytë i shëmtuar i presidentit të Republikës pas atij për dhënien e shtetësisë shqiptare të Janullatosit, i cili ishte i pranishëm edhe në dekorimin e sotëm të ambasadores greke, që me sa duket është kumbari i saj për dhënien e kësaj medaljeje nga Ilir Meta. /real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303