Detaje të reja nga skema e mashtrimit me TVSH-në

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksioni i Krimit Ekonomik të Policisë së shtetit dhe Hetimit Tatimor, nga ku u zbulua një skemë mashtrimi me TVSH nga bizneset që operojnë kryesisht në biznesin e ndërtimit dhe policisë private.

Nga kjo skemë të arrestuarit kanë bërë 4 milion euro dëm me faturat tatimore, si dhe janë nxjerrë nga Prokuroria 20 urdhra ndalimi për personat e përfshirë.

Referuar po të njëjtave burimeve, nga ky operacion janë zbuluar 5 kompani fantazmë, ku mësohet se përveç blerësve janë ndaluar edhe biznesmenë.

Nga ky operacion, siç raportoi mbrëmjen e djeshme gazetarja Xhensila Kodra, fillimisht kanë qenë së paku 50 persona të shoqëruar,  por pas verifikimeve në pranga kanë rënë 17 prej tyre.

Aksioni për arrestimin e tyre po vijon prej dy ditësh dhe ende po kërkohen persona të tjerë.

Ky operacion vjen në kuadër të aksionit anti-informalitet që është shtrirë në të gjithë vendin dhe ka sjellë arrestime e bllokime të qindra bizneseve që janë kapur me shkelje.

Në kuadër të këtij aksioni, vetëm disa ditë më parë, u arrestuan 4 bashkëpronarë të kompanive të transportit publik dhe 4 punonjës, pasi përdornin bileta të falsifikuara në mënyrë që t’i shmangeshin detyrimeve tatimore.