Dhuna ndaj bluzave të bardha, mjekët në QSUT dhe Shkodër në protestë

Mjekët e spitalit të Shkodrës, por edhe ata të QSUT-së kanë dalë edhe sot në protestë, kundër dhunës të ushtruar ndaj kolegëve të tyre.

Në Shkodër puna në spital është ndërprerë përkohësisht, në shenjë solidarizimi, pas rasteve të fundit të dhunës ndaj bluzave të bardha

Ndërsa në Tiranë, protestës iu bashkua edhe zv/ministria e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

Një nga mjekët e QSUT-së dënoi dhunën ndaj bluzave të bardha dhe kërkoi të rishikohet  Kushtetuta dhe të ashpërsohet dënimi.

Ne besojmë fuqishëm që ambienti i punës së mjekëve duhet që të jetë larg çdo lloj dhune, çdo lloj bullizmi. Dhuna kontribuon në dhunë, në depresion dhe ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e kujdesit. Nëse mjekët dhe infermierët nuk janë të sigurt, as klientët nuk janë të sigurt. Ne kemi nevojë që të ndryshojmë kulturën. 

Të nderuar kolegë, miq e shokë. Kjo është thirrje për veprim dhe bashkim. Së bashku duke folur në një zë, ne duhet t’i themi stop dhunës ndaj personelit mjekësor. Kjo është një thirrje ndaj institucioneve shtetërore, ndaj të gjitha mekanizmave të nevojshme për të na përfshirë në mbrojtje. Ka ardhur koha që të rishikohet edhe Kushtetuta, që të ashpërsohet dënimi për dhunën ndaj bluzave të bardha. Ju lutem, besoni te doktori dhe infermierët. Ndal dhunës ndaj personelit mjekësor.

Edhe ditën e djeshme ata protestuan, duke deklaruar se ndihen të kërcënuar për jetën dhe në presion gjatë ushtrimit të detyrës, ndaj kërkuan siguri fizike në punën e tyre.

Rasti i fundit në QSUT ishte ushtrimi i dhunës ndaj mjekes specializante që ndodhi javën e kaluar.

Një tjetër problematikë që ngrejnë mjekët specializantë është edhe mungesa e pagësës për periudhën katër vjeçarë të specializimit.