Dhunohet mjeku i Urgjencës, reagon QSUT

Një mjek i Urgjencës pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ është dhunuar mbrëmë nga një person i papërgjegjshëm.

I menjëhershëm ka qenë reagimi  i QSUT pas këtij akti, ku kërkon dënimin e autorit që ka ushtruar dhunë ndaj mjekut.

“Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente”, thuhet në njoftim.

Më tej, drejtoria e QSUT bën thirrje për dënimin e dhunës së ushtruar mbrëmë ndaj mjekut.

“Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”, përfundon njoftimi.

Gjithashtu, edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka reaguar në lidhje me ngjarjen, ku thekson se ky akt barbar duhet dënuar./real-news.tv