fbpx

Die Welt: Ekonomia, bukuritë, kultura e reformat. Ja përse Shqipëria meriton BE-në!

1559762668_die.jpg

E përditshmja e madhe gjermane, “Die Welt”, ka publikuar ditën e sotme një botim special të përbërë nga më shumë se 20 artikuj dhe pothuajse 30 intervista rreth vendit tonë.

Të gjithë këto artikuj arrijnë në një konkluzion të vetëm: Shqipëria, e quajtur nga “Die Welt” si dikur kandidati më pak probabël, sot e meriton më shumë se kushdo tjetër të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nuk them asgjë të re, teksa pranoj që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj përpara”. Me këtë frazë të Kancelares Anxhela Merkel, “Die Welt” nis specialen e saj.

Çfarë mundet t’i ofrojë BE-së një vend i vogël si Shqipëria, me ekonominë e saj mikroskopike krahasuar me bllokun e Unionit? “Die Welt” përgjigjet se: “Shqipëria ofron një recetë të jashtëzakonshme bukurie, historie dhe klime, me një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ofron dalje në det, stabilitet politik, një stil evropian jete, por mbi të gjitha, ka dëshmuar gatishmërinë për t’u përshtatur, veçanërisht sa i përket 5 përparësive kryesore të BE-së: administrata publike, shteti ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar dhe të drejtat e njeriut”.

Në vijim, gazeta gjermane ndalet tek ekonomia. “Sistemi bankar, më i shëndetshëm se kurrë më parë, në vitin 2018 njohu 147 milionë euro përfitime. Kreditë e këqija, nga ana e tyre ranë nga 25% e totalit në vitin 2015, në 11% në 2019-n. Papunësia, nga 18,7% në 12,3%, me projeksionin për t’u ulur në vijim në 8%, më mirë se shumë prej vendeve anëtare”.

E gjitha kjo, në një vend që prej vitit 1992, ka 18-fishuar Prodhimin e tij të Brendshëm Bruto. Ndaj, “Standard & Poor” jep një parashikim pozitiv për të ardhmen e vendit, duke paralajmëruar një rritje të vlerësimit, e duke nënvizuar se rritja do të mbetet më e lartë se 4% në vit deri të paktën në 2022.

Në ciklin dedikuar turizmit, “Die Welt” shkruan për “një vend përrallor mesdhetar, me plazhe idilike, por jo të mbipopulluara (të paktën deri tani)”, e që ka shumë se çfarë do të ofrojë veç peizazheve të veta. “Tirana, kryeqyteti, i është nënshtruar një rilindje të plotë urbane, që ka transformuar grinë e zymtë të komunizmit në një të tashme të mbushur me ngjyra, festa dhe jetë kulturore”.

Sipas të përditshmes, për të arritur objektivin e 10 milionë turistëve në vit, Shqipërisë i duhen ende investime në infrastrukturë. Por, vendi është në rrugën e duhur. Rruga e Arbrit, një investim prej 250 milionë eurosh, po realizohet pas 20 vitesh premtime.

Janë në plan për t’u ngritur dy aeroporte të rinj, në Kukës dhe në Vlorë, ndërsa hekurudhat e degraduara të komunizmit më në fund po rehabilitohen, me investimin për linjën elektrike Tiranë-Rinas-Durrës e planin për dy lidhje të reja me Malin e Zi e Greqinë. Megjithatë, për Shqipërinë, një potencial i shkëlqyer vjen nga projektet evropiane, mbi të gjitha Korridori i Kaltër që e lidh me Kroacinë e më tej.

Tek energjia, “Die Welt” veçon faktin që Shqipëria është ndër vendet e pakta në të gjithë botën që prodhon energji pothuajse 100% të rinovueshme, e se kapacitetet janë duke u rritur vit pas viti. Me zbulimin e ri të bërë nga “SHELL” së fundmi, Shqipëria mund të shndërrohet në një eksportues kryesor europian të naftës dhe gazit natyror, vijon gjermania.

Pavarësisht të gjitha këtyre arritjeve, një sfidë e veçantë në luftën kundër pabarazisë mbetet gjithpërfshirja dhe ilaçi për këtë është programi i “100 fshatrave”. “Një program unik, që promovon turizmin rural, por mbi të gjitha ofron incentiva të qarta për zgjerimin e industrisë së agroturizmit dhe artizanatit”.

Shumë e veçantë pikëpamja e “Die Welt” sa i përket krimit të organizuar. “Kur Shqipëria hapi kufijtë e saj në vitin 1991, turistët nisën të vijnë dhe qytetarët e saj të largohen drejt vendeve të Europës, deri atëherë të ndaluara për ta. Midis të larguarve ishin edhe kriminelët, që panë një mundësi për të zgjeruar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme.

Kriminelët e rikthyer shpesh janë bërë më të sofistikuar pasi kanë mësuar prej bosëve të krimit jashtë vendit, ndaj edhe puna për të luftuar krimin e organizuar është bërë shumë më e vështirë. Edhe pse Shqipëria ka shpesh një etiketë të keqe, bashkëpunimi ka sjellë fryte. Për shembull, sasia e kanabisit me prejardhje shqiptare të kapur në Itali ra me 81% nga 2017-ta në 2018-n”, thekson “Die Welt”.

Për të përditshmen gjermane, edhe reforma në drejtësi është një përvojë unikale midis vendeve kandidate për anëtarësimin. “Gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve janë eliminuar nga sistemi, ndërsa po krijohet një agjenci e re, si FBI që do të ketë detyrën e posaçme për të hetuar politikanët, zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar”.

Ciklin e saj të intervistave, “Die Welt” e nis me Kryeministrin Edi Rama, i cili pyetet për mundësinë e hapjes së negociatave. “Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë.

Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë. Kjo e bën të gjithë këtë situatë edhe më frustuese dhe edhe më absurde sepse ndërsa kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për hapjen e negociatave, trajtohemi sikur duhet të vendoset që tani nëse do të jemi apo jo pjesë e Unionit. E kjo është thjesht e pavërtetë”.

Rama thekson rëndësinë që ka për të gjithë vendet e rajonit dhënia e një sinjali pozitiv, që të dëshmojë se Evropa është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor. Për “Die Welt”, e veçantë është pikëpamja e Ramës për Kancelaren Merkel. I pyetur për të, Rama thekson se: “Kancelarja Anxhela Merkel është e papërsëritshme dhe ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit, rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë”.

Mes të tjerave, “Die Welt” interviston edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. “Shqipëria ka bërë një progres të qenësishëm gjatë dy viteve të fundit, sidomos në reformën në drejtësi, që është thelbësore për të ardhmen e vendit.

Ndaj i bëj thirrje investitorëve të huaj se nuk duhet të fokusohen tek problemet, por tek mundësitë që ofron Shqipëria. Edhe në këtë situatë politike të vështirë, rritja ekonomike është tejet e lartë, shumë më e lartë se disa nga vendet evropiane. Kështu vazhdon prej disa vitesh dhe parashikimet janë pozitive. Ka shumë potencial për një rritje të mëtejshme”, thekson Soreca.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303