fbpx

Dita e 21-të e grevës/ Gratë mbushin sytë me lot: Jemi me borxhe deri në fyt

Gratë të cilat janë futur në grevë urie prej ditësh, shprehen se janë braktisur nga qeveria. Me lot në sy, ato thonë se janë gra të arsimuara dhe sot po punojnë për bukën e gojës.

Njëra prej tyre, kërkoi që ministrja Belinda Balluku të vijë dhe t’u japë një shpjegim.

Ja si shprehen gratë:

“Të mbushet xhepi i Arben Ahmetaj dhe i Erjon Braçes dhe Edi Ramës. Paga ime është kacidhe para lekëve që marrin ata. Edi Rama na premtoi se “ari i zi” do të kalojë në Uzinë dhe lekët e prapambetura punëtorët do t’i marrin. Ku është Beso Sulaj? Heshtin. Gropa e zezë nuk është Uzina, gropa e zezë është qeveria, është Edi Rama që po shkatërron  gjithçka”, tha një greviste, ndërsa një tjetër vuri në dukje mungesën e interesimit nga Ministria e Energjitikës. “Ministrja Belinda Balluku është femër. Le të na japë përgjigje negative. Do ta përtypim. Por vetëm të vijë“, tha një greviste.

“Jemi gra të shkolluara. Nuk e kam menduar asnjëherë veten në grevë, por gjendja ekonomike na solli këtu. Jemi pa bukë. Kemi lënë familjen. Jemi në borxhe dhe kredi deri në fyt. Jemi detyruar të hymë në grevë për pagat e prapambetura, të cilat nuk i kemi marrë prej dy vjetësh”, tha një tjetër greviste.

“Ne duam që të na ikin lotët një herë e përgjithmonë. Përpara 40 vitesh kam hapur themelet e Uzinës, sot jam këtu për bukën e gojës. Kjo është e rëndë”, tha një tjetër grua greviste.

“Kam filluar punë 18 vjeçe dhe sot jam 53 vjeç, ajo punë atje na ka ushqyer, por që të mbetemi në këtë derexhe, nuk e dimë“, rrëfeu një tjetër zonjë.