Dita e Tokës në një nga zonat më të pasura në Shqipëri, në Marinëz, aty ku plehrat, abuzimi me naftën dhe mosrespektimi i tokës, po çon çdo ditë e më shumë në një masakër mjedisore nga vetë dora e njeriut.
Këto pamje të trishta vijnë nga Marinza, vetëm 10 kilometra larg qytetit të Fierit, aty ku banorët përballen çdo ditë e më shumë me shtim të sëmundjeve respiratore dhe të kancereve, por autoritetet shtetërore nuk janë të afta të vërtetojnë se shëndeti i lig vjen prej ndotjeve që shkakton industria e naftës.
Kjo është panorama që të ofron Marinza sot, pikërisht më 22 prill, që për të gjithë njihet si Dita Botërore e Tokës, e cila festohet mbarë botën, për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve rreth mbrojtjes së mjedisit si dhe për të demonstruar masat e mbrojtjes së mjedisit.
Por, në këtë zonë vetëm respekt për tokën dhe mjedisin që nuk ka, pasi kudo të kthesh kokën gjen nga të gjitha llojet e mbetjeve, si ato të naftës, si goma makinash të vjetra ashtu edhe pirgje të larta me mbeturina nga më të rrezikshmet për jetën e njeriut.
Vallë sa do të zgjasë kjo situatë? Kur do të ndërhyjë shteti në këtë zonë që çdo vit po merr me qindra jetë njerëzish si pasojë e sëmundjeve vdekjeprurëse me të cilat përballen banorët si pasojë e ndotjes së madhe? Apo së shpejti, sepse zgjedhjet janë afër… E për të mos u kthyer më pas, duke ngelur thjesht premtime elektorale…

