Dita rikthen Skënderbeun te fitorja

Skënderbeu rikthehet te fitorja në kampionat, pasi ia doli të mposhtë në shtëpi Kukësin, falë një goli të shënuar që në minutat e para të sfidës. Nga ana tjetër, verilindorët bëjnë një tjetër hap fals, pasi komplikojnë edhe njëherë ecurinë drejt synimit për të ngritur lart titullin kampion.
Sfida nisi mjaft e vrullshme për vendasit, që kërcënuan menjëherë kuadratin e Frashërit, me anë të kroatit Pervan, që gjuajti nga distanca, por topi u ndal nga portieri verilindor.

Në minutën e katërt ishte sërish kroati Pervan, i cili gjuajti nga distanca, duke përplasur topin në shtyllën pingul;e të portës, por më pas sfera u kthye te mesfushori Bruno Dita, i cili e shtyu më pas në rrjetë.

Edhe pas golit, të besuarit e Orges Shehit nuk e humbën orientimin dhe vijuan të vënë në vështirësi skuadrën e Kukësit, duke i shkuar disa herë pranë golit të dytë.

Nga ana tjetër Kukësi, pasi bëri shumë pak në pjesën e parë, e nisi lojën me një tjetër ritëm në 45-minutëshin e dytë dhe i shkoi menjëherë prano golit të barazimit, por Eduart Rroca shpërdoroi vetëm pak metra larg portës.

Në minutën e 78’, sfida u komplikua për Skënderbeun, pasi Leonit Abazi bëri një ndërhyrje “horror” ndaj Maliqit, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga kryesori Enea Jorgji.

Ishte një ndërhyrje krejt e panevojshme ajo e mbrojtësit të skuadrës korçare, për më tepër në gjysmëfushën e skuadrës së Kukësit dhe la skuadrën në inferioritet numerik.

Pak minuta para fundit të takimit, Kukësi pati një tjetër mundësi të artë shënimi me Reginaldon, por gjuajtja e tij u grushtua nga portieri i Skënderbeut, Dajsinani, i cili ruajti të paprekur kuadratin e portës së tij.

Fitorja e sotme çon Skënderbeun në kuotën e 34 pikëve, në vendin e pestë të renditjes, ndërsa Kukësi mbetet në vendin e dytë, por rrezikon të shohë Partizanin t’i shkëputet edhe më shumë.