Sekretari për mediat dhe çështjet sociale i PS Vau Dejës, Agron Ceka është kërcënuar me jetë nga shtetasi, Eduart Hila, djali i kryetarit të Bashkisë Vau Dejës Zef Hila.
Është vetë Agron Ceka ai që ka bërë denoncimin publik duke pretenduar se ka marrë një kërcënim.
Sipas Cekes, djali i kryebashkiakut ka shkuar tek banesa e tij mesditën e djeshme dhe i ka kërkuar që të mos postojë dhe të mos bëjë komente tek faqja e Partisë Socialiste Vau Dejes në facebook kundër babait të tij që është kryetar bashkie.
Ceka pretendon se Eduart Hila i ka thënë se nëse vijon postimet: “Nuk do të ekzistojmë në këtë botë ose unë ose ti”.
Këtë kërcenim, sekretari i PS ne Vau Dejës e quan një skandal të vërtetë dhe kërkon që strukturat e policisë te ndërhyjnë për të ndaluar kërcënimet që vijnë nga njerëzit e kryebashkiakut Hila.
Ceka u shpreh se për këtë ngjarje do të bëjë kallëzim penal ne policinë vendore të Shkodrës.

