‘Djemtë e Libohovës’ në mbështetje të ‘Trimave të Kumanovës’

Sot bëhen 95 vite nga vdekja e Avni Rustemit, i qëlluar të dielën e 20 prillit të vitit 1924 në Tiranë me dy plumba të dalë nga e shtëna e pistoletës e lanë të plagosur për të ndërruar jetë dy ditë më vonë, më 22 prill të vitit 1924.

E për të nderuar figurën e tij, në Libohovë të Gjirokastrës, ‘Djemtë e Libohovës’ organizuan një ceremoni përkujtimore me lule e flamuj, e krahas kësaj denoncuan edhe gjendjen katastrofale të shtëpisë së tij, për të cilën çdo qeveri ka premtuar restaurim, por gjendja vijon të jetë më shumë sesa e mjerë.

Paralelisht nga Libohova e më pas te Memoriali i Rilindësve në Gjirokastër, ‘Djemtë e Libohovës’ u bënë thirrje shqiptarëve kudo që janë e jetojnë të dalin masivisisht në mbështetje të protestës për çështjen e djemve të Kumanovës, të dënuar padrejtësisht në burgjet sllavo-maqedonase për atë që njihet se ‘Beteja e Lagjes së Trimave’.

Djemtë mbanin në dorë fotot e bashkatdhetarëve të tyre të arrestuar për këtë ngjarje, duke kërkuar drejtësi dhe lirim sa më të shpejtë të tyre.

Por si u vra Avni Rustemi?

Me hap të shpejtë, i shkujdesur dhe pa asnjë interes për këdo që kalonte në rrugën e varrezave, Avni Rustemi dukej i sigurt teksa pranë ishin dy miqtë e tij, një prej të cilëve deputeti Hoxhë Kadriu.

Atë pasdite të së dielës nuk duhet t’i ketë bërë përshtypje në mes të turmës një njeri i zakonshëm por i panjohur për të. Quhej Isuf Reçi dhe kur akrepat shënonin 15:55. pa i thënë asnjë fjalë, nxori pistoletën nga brezi, ia drejtoi dhe dy krisma të thata e lëkundën Avni Rustemin.

Duke u mbajtur në objekte aty pranë, Avniu arriti të nxirrte nga brezi pistoletën e vet dhe të qëllojë katër herë drejt tij, por asnjë plumb nuk e preku atentatorin.

Rrëmuja, klithmat dhe urdhri pa objekt i dëshmitarëve “kapeni vrasësin” ishte skena e dytë e ngjarjes. Një pellg gjaku përreth trupit të plagosur dhe zhdukja e atentatorit përbënin skenën e tretë, e cila pati si epilog vdekjen pas dy ditësh të të plagosurit.