Dokumentari ‘Narcotica’, ja çfarë thuhet për Shqipërinë

Cikli i reportazheve të dokumentarit ‘Narcotica’ në televizionin Rai Tre, ka publikuar pjesë rreth dokumentarit për pjesën e sasisë së drogës që vjen nga Shqipëria.

Në dokumentar tregohet se si krimi i organizuar shqiptar qarkullon 3 miliardë euro në vit para droge nga aktiviteti kriminal i trafikimit të drogës për në shtete të ndryshme të Europës.

Karabinieri Massimiliano D’angelantonio bën me dije se shqiptarët kanë celula kriminale jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe në Amerikën e Jugut. Sipas karabinierit, Adriatiku mbetet një urë kalimi e preferuar e trafikantëve për kalimin e drogës.

‘Jo vetëm arrin marijuanë nga Kanali i Otrantos për në Itali, vitin e kaluar sekuestruam 9 ton në vetëm një ngarkesë, por gjithashtu trafikohet edhe kokainë, e cila merret nga trafikantët shqiptarë në Amerikën Latine’, tha Nicola Grateri, prokuror në Catanzaro.

Prokurori italian Francesco Mandoi në ciklin e reportazheve ‘Narcotica’ zbulon dhe një ëndërr të parealizuar të trafikantëve shqiptarë të drogës.

‘Shqiptarët mendonin seriozisht që të përdornin një bazë nëndetësesh që nuk përdorej nga marina shqiptare, për të vendosur në funksion një mini-nëndetëse, e cila do të arrinte peshkarexhën apo anijen që transportonte kokainë në Mesdhe. Më pas ta transferonin kokainën në nëndetëse e që më pas të ktheheshin sërish në Porto Palermo’, tha Francesco Mandoi, prokuror.

guardaaaaa.jpg