Partia Demokratike ka paditur në SPAK, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtuesin e Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, në akuzën për manipulim me regjistrimin e gjendjes civile.
Në padinë e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Rregjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem me qëllim ndryshimin e adresës ëë vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qyyetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit.
“Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2 javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”- thuhet në padi.
Duke vënë në dukje se SPAK duhet të kishte nisur vetë hetim për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thekson se organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë.

