Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, në një deklaratë për mediat deklaroi se me aq sa ajo ka dijeni prokurorët e dosjes “339” nuk janë në hetim. Dalja e saj përballë gazetarëve erdhi si sqarim pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”.
Kush janë prokurorët që kanë kaluar në duar dosjen “339”
Duke bërë kronologjinë e hetimit të dosjes “339”, Donika Prela tha se me 28 dhjetor të 2016 ka nisur procedimi penal nga Krimet e Rënda.
Deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore tha ajo dhe pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër.
Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit.
Donika Prela: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me datë 28.12.2016, ka regjistruar procedimin penal nr.339, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 dhe 283/a/2 i Kodit Penal.
Hetimet në këtë procedim penal nga momenti i regjistrimit të tij dhe aktualisht, janë kryer nga disa prokurorë, sipas periudhave më poshtë:
1-Nga fillimi i proçedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër.
Gjatë hetimeve të kryera në këtë periudhë një vjeçare e cila përfshin dhe periudhën kohore të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (periudha qershor 2017), janë regjistruar hetime vetëm për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 283/2, 283/a/2, 287 të Kodit Penal.
2-Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit.
Me urdhërin e datë 05.03.2018, të prokurorit të çështjes Z. Besim Hajdarmataj, është vendosur regjistrimi i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 333/a dhe 334 të Kodit Penal dhe po kështu me urdhërin e datës 05.07.2018, nga prokurori i çështjes Z. Besim Hajdarmataj, janë regjistruar emrat për 13 subjekte, si të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “ Korrupsion aktiv në zgjedhje“, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe me urdhërin e datës 14.08.2018 është regjistruar emir i 8 personave si të dyshuar për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, etj, të parashikuara nga nenet 283, 283/a, 333/a, 245, 260, 328 të Kodit Penal.
Prela më pas sqaroi se pas largimit të Prokurorit Besim Hajdarmataj për shkak të caktimit të përkohshëm pranë Prokurorisë Pogradec, me vendimin e drejtuesit të prokurorisë, datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit, prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe ne disa procedime te tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë .
Donika Prela: Në një periudhë kohore me pak se 20 ditë pas zëvëndësimit të Prokurorit, me urdhërin e datës 18.10.2018, nga prokurorët e çështjes, janë regjistruar emrat e 40 subjekteve, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të ndryshme, të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Pastrimit të produktve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, “Falsifikimi i dokumenteve”, “ Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, etj të kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe vepra penale të tjera. Po kështu në fund të muajit tetor 2018, një muaj pasi dosja është marrë në hetim, janë nxjerrë gjithsej 44 masa sigurimi arrest në burg për persona të ndryshëm për veprat penale të sipërcituara. Në kuadër të hetimeve, janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 115 DVD. Nga këto, janë 110 CD për vitin 2017, 479 CD për vitin 2018 dhe 35 CD për vitin 2019.
Kreu i Krimeve të Rënda, Donika Prela, sqaroi se referuar informacionit që i është vënë në dispozicion nga dy prokurorët e çështjes, në momentin e ngritjes së grupit hetimor nga ana e drejtuesit të prokurorisë tetor 2018, të gjitha CD e administruara kanë qenë të pa transkriptuara në tërësi dhe vijimësi, por ka patur transkripte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, dhe në mënyrë sporadike.
Po kështu, vijoi Prela, “në këtë moment është konstatuar se janë kryer veprime hetimore të hapura vetëm në drejtim të veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryera në qytete të ndryshme të vendit dhe abuzimeve me pronat në zonën e Qarkut Lezhë, ndërsa për veprat e tjera penale, duke përfshirë dhe veprat penale në fushën e zgjedhjeve nuk ka patur hetime të hapura, me përjashtim të përgjimeve, të cilat siç dhe theksova, nuk kanë qenë të transkriptuara në tërësi”.

