E kaluara e errët e të riut që iu bë atentat dje në Vlorë

Zbardhen detaje të reja për të kaluarën e 33-vjeçarit që iu bë atentat pasditen e djeshme në autostradën Vlorë-Fier te ura e Mifolit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Romarjo Aliraj është personazh i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë dënuar më parë për mashtrim dhe drogë, pasi është arrestuar me kanabis.

Pas daljes nga burgu ai shpërndante pica, ndërsa dje iu bë atentat, por fatmirësisht arriti që të shpëtonte.

Grupi hetimor po heton në pistën e hakmarrjes apo prishjes së pazareve të drogës nisur nga e kaluara e tij, ndërsa deri tani nuk ka asnjë person të arrestuar.

Por si ndodhi atentati dje?
Aliraj ishte duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Fierit në momentin që një makinë po e ndiqte e qëlloi me breshëri.

Makina u bë shoshë nga kallashnikovi, pasi e kapën 15 plumba, por fatmirësisht Aliraj shpëtoi pa asnjë plagë nga plumbat, ndërsa ka marrë dëmtime të lehta pas daljes së makinës nga rruga, pasi 33-vjeçari humbi kontrollin duke përfunduar në një arë.

Report Tv solli foton e të riut dhe pamjet e makinës me targa AA 864 SV, e cila i kishte të dyja dyert e hapura duke krijuar dyshimet se në automjet mund të kishte qenë edhe një tjetër person, që mund të ishte larguar pas atentatit për të shpëtuar nga policia.

Romarjo Aliraj u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi nuk e ka kapur asnjë plumb.