TË FUNDIT

E paralajmëruan dje, nis bojkoti dyditor i mosfurnizimit të tregut me produkte bulmeti

Ashtu sikurse kishin lajmëruar, fermerët në të gjithë vendin nisën sot bojkotin dyditor të mosfurnizimit të tregut me prodhime bulmeti, për të kundërshtuar në këtë mënyrë uljen e rimbursimit të TVSh-së nga 20% në 6%.

Ata i kërkojnë qeverisë të mos e ulë rimbursimin e TVSH-së për produktet primare bujqësore. Në shenjë proteste fermerët ditë më parë kanë derdhur qumështin dhe hodhën perime të freskëta në rrugë.

Ka qenë emisioni ‘Fiks Fare’, i cili ka ndjekur nga afër ankesën e fermerëve të cilët treguan se si ndikon tek ta ulja e rimbursimit të TVSh-së në 6 %.

Emira Toska, fermere në Ferras të Lushnjës tregon se ka 30 krerë lopë dhe se baxhot që ua marrin qumështin përditë u kanë thënë se atë tashmë do e marrin më lirë, 30 lekë ndërkohë që çmimi ka qenë 40 lekë për një litër qumësht. “Ne nuk po ja dalim dot me kaq sa është çmimi e jo më lirë” shprehet ajo. E vetmja gjë që mund të bëjmë shprehet Ermira është falimentimi i sigurt , “dy mënyra kemi ose t’i shesim lopët ose t’i therim”.

Edhe fermerët e tjerë kanë po të njëjtin shqetësim, për ta nuk ia vlen të mbajnë më blegtori pasi shpenzimet janë shumë herë më të mëdha se sa fitimet. Madje janë të zhgënjyer pasi as subvencionimet e premtuara nuk i kanë marrë.

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan edhe dy prej përfaqësuesve të fabrikave të përpunimit të qumështit ‘Erzeni’ dhe ‘Lufra’, të cilët 70 % të lëndës së parë furnizohen pikërisht nga fermerët.

Ata u dhanë të drejtë fermerëve se ulja e rimbursimit mund t’i çojë drejt falimentimit fermerët si dhe vetë kompanitë. Ata shpjegojnë për Fiks Fare se kanë pothuajse tre muaj që kanë kërkuar rishikimin e këtij ligji , por që nga Ministria e Financave nuk ka pasur asnjë reagim. Ata shtojnë se tashmë në treg do ulet prodhimi dhe kjo gjë do i çojë këto kompani të shohin variante të tjera, t’i hedhin sytë nga importi, pasi edhe qumështi jashtë shtetit gjendet më lirë.

Gazetarët e Fiksit intervistuan edhe z. Alban Zusi nga Shoqata e Industrialistëve Ushqimor. Ai shprehet se qeveria këtë taksë donte tua vilte fabrikave të përpunimit të qumështit, por që fabrikat nuk kanë nga ta marrin apo nxjerrin që të paguajnë këtë lloj takse.

Por gazetarët e Fiksit pyetën edhe një Ekspert Kontabël, z. Eduart Sharko për të kuptua efektet që ka ky ligj. Ai shpjegon se arsyeja se pse fermerët derdhin qumështin është se blerësit e tyre ulën vlerën e çmimit të blerjes dhe nuk do ua marrin më me këtë çmim, pasi nuk u intereson për shkak të taksave që paguajnë. Sipas ekspertit 20% e kompensimit që jepte shteti, nuk shkonte tek fermeri, sepse kalonte nëpërmjet një hallke të tretë që ishin tregtarët dhe kjo nuk funksionoi sepse në asnjë vend të botës nuk mund të urdhërosh tregtarin t’i jap nga fondet e tij kredi fermerit për llogari të shtetit dhe pastaj mbas tre muajsh t’ia marri konsumatorit ose t’ia marrë shtetit.

Qëllimi i kësaj skeme ka qenë që të kompensojë fermerët për çmimet e larta të imputeve bujqësore që ata blejnë. TVSH do të thotë nëse një tregtar blen dhe shet dhe gjatë këtij transaksioni ai fiton për shembull 100 lekë, atëherë ai do të paguaj 20% të shumës TVSH-së.

Sipas tij tregtarët kanë vetëm dy rrugë0: e para të rrisin çmimin e shitjes të konsumatorët që të mund të marrin tatimin ekstra që shteti u kërkon dhe e dyta të falimentojnë nga konkurrenca e produkteve rajonale që futen në treg.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat