E refuzoi Lenjani, Panucci grumbullon Lorenc Trashin

Screenshot_1-23.png

Dëmtimi i Egzon Binakut dhe Andi Lilës, prishi disi planet e Panuccit, që më herët kishte vendosur të lërë jashtë grumbullimit edhe portierin Thomas Strakosha, pasi ky i fundit nuk arriti të paraqitet në kohë pranë kombëtares.

Trajneri i kuqezinjve ftoi menjëherë Ylber Ramadanin në mesin e fushës dhe Ermir Lenjanin në krahun e majtë të mbrojtjes, për të zëvendësuar dy të dëmtuarit, ndërsa portieri i Laçit Gentjan Selmani erdhi për të zënë vendin e gardianit të Lazios.

Megjithatë Lenjani refuzoi t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kombëtares, pasi siç shpjegoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kishte mbetur i ofenduar nga trajtimi që i ka bërë Panucci dhe se nuk do të vijë më te Shqipëria, për sa kohë në stol të jetë italiani.

I ndodhur në këto kushte, Panucci ka hedhur sytë nga Kategoria Superiore dhe ka veçuar prej aty emrin e Lorenc Trashit, të cilit i ka bërë ftesë për t’u bashkuar me Kombëtaren në prag të sfidave përballë Turqisë dhe Andorrës.

Ky i fundit prej dy sezonesh ofron paraqitje mjaft të mira me klubin e Partizanit, ndërsa tashëm ka ardhur momenti që të dëshmojë edhe para Panuccit, se e meriton një vend në kombëtare, ku të paktën për ndeshjet e radhës, do të rivalizojë me Naser Alijin.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303