“Edhe Arta Marku do i bëjë rreshtore”, Kryemadhi shpërthen ndaj Ramës

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, theksoi mbrëmjen e sotme se Kryeprokurorja Arta Marku do i bëjë rreshtore Edi Ramës, kur ai të bjerë dhe të ngjitet Lulzim Basha. Në studion e Syri TV, Kryemadhi tha se “Arta Marku u gjet nga ndërkombëtarët në një prokurori rrethi, pastaj doli se ishte shoqe e Ulsi Manjës dhe Ermonela Felaj”.

“Ju do t’a shihni se çfarë do të bëjë prokuroria kur të bjerë Edi Rama dhe të ngjitet Lulzim Basha. Kushdo qoftë prokurori, edhe Arta Marku sikur të jetë, do të marrë Edi Ramën dhe do t’i bëjë rreshtore, do të hetojë edhe ato fotot me Obamën”, tha Kryemadhi.

Në vijim Kryemadhi theksoi se gjatë një takimi me një zyrtare në Bruksel, ajo i ka thënë se për 4 vite raportet që shkonin nga Tirana në zyrat e BE-së ishte që situata është shumë mirë, bravo qeveria, kjo është bërë mirë e kjo shumë mirë. “Zyrtarja e BE-së, një zonjë e nderuar më tha: çfarë kujton ti se ne kemi mbyllur sytë sepse na vinin raportet?

Edi Rama gënjen, gënjente edhe ndërkombëtarët kur vinin në Tiranë, me një drekë që i jepnin te Pallati i Brigadave.

Të gjithë europianët e kanë ngrënë nga Edi Rama, përveç amerikanëve. Të gjithë i gënjeu, madje në një rast edhe Obamën.

Deri në momentin që Edi Rama me trafikantët e tij nuk cënonte sigurinë e vendeve të tjera nuk u shqetësuan, por në momentin që kjo siguri cënohet atëherë reagohet, sepse Shqipëria u bë rrezik me grupet kriminale, me pastrimin e parave, me terroristët që kalonin nga Vlora në Itali, me kriminelët që kërkoheshin në Holandë dhe në Shqipëri përfitonin leje ndërtimi”, tha Kryemadhi.

Duke bërë krahasimin me Kosovën, Kryemadhi është shprehur se në Prishtinë, ndërkombëtarët nuk folën fare dhe nuk u bënë me njërën palë. Por sipas Kryemadhit në Tiranë ka ndodhur e kundërta, pasi ndërkombëtarët janë vendosur në krah të qeverisë me të gjitha skandalet e saj.

Sipas saj, në muajt e fundit edhe ndërkombëtarët kanë ndryshuar qëndrim. ‘U prish cilësia e mallit dhe ndërkombëtarët ndryshuan deklarimet e tyre. Nuk është problem për holandezët kanabisi, për holandezët është problem heroina dhe kokaina. Po vriten biznesmenët ne dyert e shtëpive’, tha Kryemadhi