Facebook forcon rregullat për “Live Streaming”

Facebook ka njoftuar se do të prezantojë kufizimet në shërbimin “Live Streaming” (transmetim i drejtpërdrejtë), duke aplikuar një politikë “one strike”, pas sulmeve terroriste të Christchurch.

Rikujtojmë se në një sulm terrorist në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re u vranë 50 besimtarë myslimanë të cilët kishin shkuar për të falur namazin e ditës së premte.

Guy Rosen, zëvendëspresident i Facebook-ut për menaxhimin e produkteve shkroi: “Pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Zelandën e Re, ne kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë për të kufizuar shërbimet tona nga përdorimi i tyre për të shkaktuar dëme apo për të përhapur urrejtjen”.

“Si rezultat i drejtpërdrejtë, duke filluar nga sot, njerëzit që kanë shkelur rregulla të caktuara në Facebook … do të kufizohen nga përdorimi i Facebook Live”, citohet të ketë thënë ai.

Ndryshe, vrasjet e 15 marsit në Zelandën e Re u transmetuan drejtpërdrejt në Facebook.

Politika “one strike” do t’i shoh përdoruesit të kufizohen nga përdorimi i transmetimit të drejtpërdrejtë për një periudhë të caktuar kohore.

“Për shembull, dikush që ndan një lidhje me një deklaratë nga një grup terrorist pa kontekst do të bllokohet menjëherë nga përdorimi i Live për një periudhë të caktuar kohe”, ka thënë tutje Rosen.

Pritet që Facebook të investojë 7.5 milionë dollarë në kërkime për të përmirësuar teknologjinë e analizës së imazhit dhe të videos – gjithashtu duke bashkëpunuar edhe me universitetet amerikane për të parë teknika të reja. /real-news.tv