Gazi në protestë, mjeku: I ndaluar dhe në luftëra

Gazi lotsjellës i përdoruar nga forcat e rendit në protestën e opozitës së bashkuar, shkaktoi debat për mënyrën se si u përdor ai si edhe për efektet që shkakton te protestuesit. Lidhur me këto efekte mjeku pneumolog në Spitalin Amerikan, Adrian Jorgji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” tha se gazi lotsjellës hyn në familjen e lëndëve helmuese dhe është i ndaluar me konventë ndërkombëtare të përdoret edhe në luftë.

“Janë në familjen e lëndëve helmuese dikur përdoreshin në luftëra. Janë ndaluar tani me konventën ndërkombëtare, sot përdoren në tubime masive për të ulur efektin e demonstrimit të masave. Qëllimi i tyre është të bëjë masën inaktive, të pafuqishme për të reaguar, neutralizuar, mungesën e rezistencës dhe shpeshherë edhe të largimit që të kontrollet më mirë nga forcat e rendit.”-tha doktor Jorgji, ndërsa u shpreh se çdo person reagon në mënyrë të ndryshme ndaj gazit helmues. Mjeku tha se reagimi ndaj efektit të gazit varet nga shumë faktorë, dhe mund të sjellë edhe agravim të situatës.

“Për kardiakët mund të ketë deri në pasoja vdekjeprurëse. Shkakton rritje të tensionit, mund të çojë në çrregullime të ritmit deri në goditje kardiake, të cilat shoqërohen deri edhe me vdekje” – vijoi më tej doktor Jorgji foli edhe për efektet që shkakton gazi lot sjellës në trupin e njeriut.

“Në sy mund të shkaktojë deri verbim të përkohshëm. Në rrugët respiratore shkakton inflamacion të mukozës me tregues më të thjeshtë kollën deri vështirësi në frymëmarrje, në pneumoni kimike apo edemë pulmonare, situata këto shumë të rrezikshme dhe me pasoja për organizmin. Për sa i përket anës nervore, mund të shkaktojë që nga ankth deri në kriza paniku, rritje të pulsit, tensionit etj. Mund të japin edhe infeksione në mëlçi apo lëkurë, djegie të shkallës së parë” -theksoi më tej ai, ndërsa shtoi se efektet llogariten nga 30 minuta në disa ditë.

“Mënyra e përdorimit të gazit lotsjellës, ka rregullat e veta të përdorimit. Ka rëndësi intensiteti, forca e hedhjes, largësia nga ku niset. Edhe ata që e përdorin kanë rregulla sepse ka pasoja. Ka libra që thonë nuk mund të hidhet drejtpërdrejt, nuk mund të hidhet në largësi më të pakët se 4 – 6 metra. Efekti mban nga 10 deri 30 minuta, nëse je larguar nga vendi. Më e rëndë situata bëhet në ambiente të mbyllura apo kur nuk ka erë.”