Goditi me sëpatë mamanë e vajzën, i riu justifikohet…

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e djeshme që ndodhi në Selenicë, ku Mariglen Çobaj dhunoi me bishtin e sëpatës nënën dhe vajzën.

Nëna dhe vajza, të përfshira në dhunën nga nipi i familjes, janë ende në ambientet e spitalit të Vlorës duke marrë mjekim.

Vajza A.Ç,  si pasojë e goditjeve, ka marrë shembje në krahë dhe këmbë. Ndërsa nëna, ka pësuar frakturë të lehtë në krahë si pasojë e ndërhyrjes për të ndarë sherrin.

Sa i përket debatit që solli në degjenerimin e dhunës, mësohet se dy kushërinjtë A. Çobaj dhe Mariglen Çobaj janë konfliktuar me njëri tjetrin për motive të dobëta.

Debati më pas ka degjeneruar në dhunë fizike, ku Mariglen Çobaj ka qëlluar me bishtin e sëpatës ndaj kushërirës A. Çobaj. Në këtë moment, ka ndërhyrë nëna e A. Çobaj për t’i ndarë e për pasojë edhe kjo e fundit është goditur.

Ambulanca dhe policia, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje në fshatin Gumenicë. Policia ka arrestuar menjëherë shtetasin Mariglen Çobaj. Ky i fundit në polici ka deklaruar se kushërira e kishte ofenduar e për këtë situata ishte acaruar.