Tetë persona të armatosur të veshur si policë vodhën rreth 750 kilogramë flori dhe metale të tjera të çmuara, me një vlerë të parashikuar rreth 40 milion dollarë (rreth 36 milionë euro).
Grabitja spektakolare ka ndodhur në një depo në aeroportin ndërkombëtar Guarulhos në Sao Paulo, Brazil.
Sipas autoriteteve të aeroportit, banda vodhi ndër të tjera një sasi floriri të destinuar për Zyrih dhe Nju Jork.
Hajdutët hynë në aeroport me dy makina të tipit fuoristradë, me logo të Policisë Federale Braziliane, të cilat pas vjedhjes u gjetën të braktisura rreth 20 km larg aeroportit.
Gjatë vjedhjes nuk pati lëndime apo shkëmbim zjarri, por sipas një oficeri policie që donte të mbetej anonim, një zyrtar i aeroportit dhe tetë anëtarë të familjes së tij – përfshirë katër të mitur – janë rrëmbyer nga banditët dhe janë lënë të lirë pas 12 orësh.

