Hartohet Drafti / 13 vende të BE-së, nismë për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Trembëdhjetë vende të BE-së, shumica anëtarë të rinj nga Europa Qendrore dhe Lindore së bashku me Italinë dhe Austrinë, po hartojnë një draft që do t’u paraqitet vendeve të tjera anëtarë të BE-së në përpjekje për të ringjallur besueshmërinë e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, pjesë e saj edhe Shqipëria.

Vendet që kanë nënshkruar draftin e hartuar nga Polonia janë Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta. Ky draft pritet t’i paraqitet të mërkurën ambasadorëve të BE-së në Bruksel.

“Ideja është të bëjmë sadopak presion për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është një formë presioni për të thënë se kemi nevojë për thellimin e BE dhe më pas zgjerimin është hipokrizi dhe e gabuar. Nëse të dyja proceset nuk ecin krah njëra-tjetrës, BE së shpejti do të përballet sërish me Ballkanin Perëndimor, por fatkeqësisht në një mënyrë kërkuese dhe të dhimbshme për të dyja palët”, tha për “Euractiv” një diplomat i shquar i një prej 13 vendeve.

Komisioni Evropian ka rekomanduar zyrtarisht hapjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën zyrtare, por vendimi duhet të konfirmohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshill, ku Franca dhe Holanda udhëheqin opozitën.

Këto 13 vende anëtare, që kanë dalë hapur, pro zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor,  thonë se argumenti i presidentit francez, Emmanuel Macron se BE-ja ka nevojë të reformohet përpara zgjerimit, është një hipokrizi që nuk mbështetet nga pjesa tjetër e Europës.