Shumë indinjatë shkaktoi në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe në Shqipëri dhënia e çmimit Nobel në Letërsi për austriakun, Peter Handke, cilësuar si një mohues i krimeve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të më vinte për të vjellë për shkak të një çmimi Nobel”, shkruan kryeministri shqipëtar, Edi Rama në rrjetin social “Twitter”.
“Meqënëse zgjedhja e turpshme e autoritetit moral që përbën Akademia e Nobelit, turpi është vulosur si një vlerë e re. Jo, ne nuk duhet të bëhemi kaq të pandjeshëm ndaj racizmit dhe gjenocidit”, shkruan Rama.
Anëtari boshnjak i presidencës kolegjiale të Bosnje-Hercegovinës, Sefik Dzaferovic deklaroi se vendimi për të dhënë çmimin Nobel të Letërsisë për Handke ishte skandaloz dhe i turpshëm.
“Është e turpshme që Komiteti i çmimit Nobel kalon kaq lehtë faktin që Handke ka justifikuar veprimet e Slobodan Milosevic dhe që e mbronte atë dhe bashkëekzekutuesit e tij Radovan Karaxhixh dhe Ratko Mlladiç, të cilët janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime të rënda, si gjenocid”, deklaroi Dzaferovic në një komunikatë duke shtuar se Komiteti ishte moralisht i çorientuar.
Në Kosovë, skenë e luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, mes forcave serbe dhe një guerilje indipendente shqip[tare (13 000 të vdekur), vendimi u prit gjithashtu me nervozizëm.
“Një admirues i Millosheviçit merr çmimin Nobel të Letërsisë”, e hap arktikullin e saj e përditshmja “Koha Ditore”.
Ndërkohë edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës theksoi se ishte shumë e zhgënjyer me ndarjen e çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Handke.
Handke njihet si figurë mohuese, për shkak të mbështetjes së tij për politikat e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç.
Në vitin 1996, një vit pas konflikteve në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci, Peter Handke kishte publikuar një broshurë që ngjalli polemika në atë kohë “Drejtësi për Serbinë”.
Ai dënoi ashpër në vitin 1999 bombardimet perëndimore ndaj Serbisë për të mundur Slobodan Millosheviç.

