Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit, ku nga të shtënat me armë zjarri humbën jetën dy të rinjtë Jani Jushi 30 vjeç dhe Mikel Jushi 35 vjeç. Autorët e vrasjes janë Vincenc Pali (Bushi) dhe Markel Gjonbushi, ndërsa dyshimet e para lidhen me konflikte të vjetra mes autorëve dhe dy viktimave, që janë edhe kushërinj të parë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 në lagjen nr. 1 në qytetin e Laçit, afër një lokali ku ndodheshin viktimat dhe autorët. Dëshmitarët thanë e dy viktimat ndodheshin në një tavolinë dhe kanë debatuar me autorët.
Dy palët më pas kanë dalë jashtë lokalit për t’u sqaruar, sherri ka agravuar dhe duke parë që autorët kishin armë me vete, dy kushërinjtë janë larguar me vrap. Por, autorët i kanë ndjekur për rreth 100 metra Mikel dhe Jani Jushin dhe i kanë qëlluar disa herë me pistoletë.

Plumbat i kanë kapur disa herë ne trup kushërinjtë, ndërsa përpiqeshin t’u shmangeshin. Mikel Jushi dhe Jani Jushi u dërguan në gjendje të rëndë për jetën në një spital privat në Tiranë për ndihmë të specializuar por kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve që morën.

Po sipas dëshmitarëve, policia ka shkuar 20 minua me vonesë në vendin e ngjarjes, edhe pse komisariati me lokalin ndodheshin shumë pranë. E ndërsa kanë ngritur disa postblloqe, por ende nuk ka asnjë të arrestuar, blutë e Laçit pohojnë se për shkak të hetimit nuk mund të bëhen publike detaje qe lidhen me ngjarjen.

Sipas burimeve të Shqiptarja.com policia i ka identifikuar autorët, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit dhe janë shoqëruar dëshmitarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Mikel Jani kishte një lokal në qytetin e Laçit. Ai bashkë me kushëririn e tij, djalin e xhaxhait, njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali ku nisi debati frekuentohej nga persona me precedent.

