Ja si mashtrohet me TVSH-në

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit, ku në prangat e policisë ranë 15 biznesmenë për abuzim me TVSH-në, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit rreth 4 milionë euro, Sotiraq Dhamo ka shpjeguar se si funksionon mashtrimi.

Eksperti kontabël ka treguar për A2, se skemat e abuzimit me TVSH-në nuk mund të evidentohen nga sistemi aktual tatimor.

“Krijohen një apo disa kompani fiktive, të cilat pasi regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe pajisen me blloqe TVSH-je. Lëshojnë fatura fiktive, nëpërmjet të cilave rezultojnë që blerjet me TVSH i kanë më të mëdha sesa shitjet me TVSH dhe bëjnë kërkesë për rimbursim. Ndërsa kompania fiktive nuk deklaron asgjë në Tatime dhe për një periudhë kohe mbyllet ose nuk lëshon më fatura”, thotë eksperti.

Dhamo shpjegon se skemat e abuzimit me TVSH-në aplikohen më lehtë në sektorin e ndërtimit dhe karburanteve, pasi aty verifikimi i faturave fiktive është i vështirë, për shkak të hallkave të shumta të funksionimit të këtyre aktiviteteve.