Jacques Chirac i vuri emrin Skëndërbej një sheshi në Paris në ’78-n

“Mbas disa përpjekjeve disavjeçare që bëri vëllai im, Isa Ndreu, me mikun e tij, publicistin e njohur të mërgatës antikomuniste shqiptare, Lec Shllaku, ata arritën që t‘i merrnin mikut të tyre, Zhak Shirak, që asokohe ishte në funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit, miratimin për t‘i dhënë një sheshi në qendër të kryeqytetit francez, emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shllaku me Isain e kishin mik të ngushtë politikanin e famshëm francez, Zhak Shirak dhe ata e kishin ndihmuar atë në fushatat e ndryshme elektorale kur ai kandidonte për postin e Kryeministrit apo të Kryebashkiakut të Parisit. Pas shumë bisedimeve që Isai me Lec Shllakun zhvilluan me mikun e tyre të ngushtë Zhak Shirak, ai mblodhi Këshillin Bashkiak të Parisit, i cili më datën 10 korrik të vitit 1978, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, mori vendimin zyrtar dhe i akordoi emrin e Skënderbeut, njërit prej shesheve në qendër të Parisit, i cili më parë quhej “Villa Lumier”. Pas marrjes së atij vendimi, ceremonia zyrtare për dhënien e emrit “Skënderbej” atij sheshi, u zhvillue më datën 6 dhe 7 maj të vitit 1980, ku morën pjesë me dhjetra e dhjetra personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare nga shumë vende të botës. Në atë ceremoni madhështore mungoi vetëm ambasadori i Shqipërisë, i cili nuk mund të vinte dot aty për shkaqe që tashmë dihen. Pas kësaj në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, Lec Shllaku me Isa Ndreun, i akorduan një medalje ari zotit Shirak, e cila iu dhurue me një ceremoni madhështore në Paris, ku morën pjesë personalitete nga e gjithë mërgata antikomuniste shqiptare”.

I_NDREU03-750x375

Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për Memorie.al  është 87-vjeçari Jonuz Ndreu, (djali i parafundit i nacionalistit Cen Elezi nga Sllova e Dibrës) me banim në New York në SHBA. Ai rrëfen të gjithë historinë se si i vëllai, Isa Ndreu, së bashku me publicistin e njohur të mërgatës antikomuniste shqiptare, Lec Shllaku, me ndihmën e ish-kryetarit të Bashkisë së Parisit, bënë të mundur vendosjen e emrit të Skënderbeut, në një prej shesheve në qendër të Parisit. Po kush është Jonuz Ndreu. Cila është e kaluara e tij dhe ku ndodhet ai aktualisht? Kush është Isa Ndreu e Lec Shllaku, cila është e kaluara e tyre dhe si arritën ata të përjetësonin emrin e Skënderbeut në qendër të kryeqytetit francez?

Kush ishte Isa Ndreu dhe Lec Shllaku?

Isa Ndreu lindi më 7 mars të vitit 1919 në fshatin Sllovë të Dibrës. Ai ishte djali i gjashtë i Cen Elezit, (Hero i Popullit), patriotit të famshëm dibran, i cili është mjaft i njohur për luftërat e tij në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë nga sulmet e vazhdueshme të serbo-malazezëve në dy dekadat e para të shekullit të kaluar. Mësimet e para Isa Ndreu i mori në internatin “Dibra” të fshatit Kastriot. Pasi doli me rezultate të mira, u dërgua për të ndjekur mësimet në shkollën “Normale” të Elbasanit. Pasi e mbaroi edhe atë me rezultate shumë të mira, babai i tij, Cen Elezi, e dërgoi për të studiuar në Itali, pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Firences, ku ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në degën e filozofisë.

Mbarimi i luftës e gjeti Isa Ndreun në Firence të Italisë. Duke parë qëndrimin që regjimi komunist mbajti ndaj familjes së tij në Shqipëri, ai nuk u kthye më në atdheun e tij, por vazhdoi të qëndronte aty. Që nga mbarimi i luftës e deri më sot, Isa Ndreu është marrë me një aktivitet biznesi privat dhe njihet nga e gjithë diaspora shqiptare, jo vetëm si industrialist i madh, por edhe për veprimtarinë e tij antikomuniste dhe kryesisht si publicist e botues i revistës së njohur “Koha e Jonë”. Atë revistë, që nga krijimi i saj e në vazhdim deri sa u mbyll në vitin 1991, Isa Ndreu ia besoi për ta drejtuar si editor, mikut të tij të ngushtë, publicistit e intelektualit të njohur, Lec Shllaku, me origjinë nga Malësia e Shkodrës.

Lec Shllaku lindi në vitin 1915 në fshatin Shllak të Shkodrës prej nga fisi i tij ka trashëguar edhe mbiemrin. Pasi mori mësimet e para në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, Leci u dërgua në shkollën “Normale” të Elbasanit, ku vijoi rregullisht mësimet dhe mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Në mesin e viteve 1930, Lec Shllaku shkoi në Itali dhe ndoqi studimet në degën e pedagogjisë pranë Universitetit të Firences. Gjatë asaj kohe, në atë universitet studionte dhe bashkatdhetari i tij, Isa Ndreu.

Që atëherë ata të dy zunë një miqësi të ngushtë, të cilën nuk e prishën asnjëherë. Ashtu si Isai, edhe Lec Shllaku nuk u kthye më në Shqipëri, për arsye se regjimi komunist e persekutoi në mënyrën më barbare familjen e tij në Rrethin e Shkodrës. Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Lec Shllaku u vendos me banim në kryeqytetin francez, Paris, dhe gjatë gjithë kohës është marrë me studime albanologjike dhe në mënyrë të veçantë me publicistikë. Lec Shllaku ka drejtuar si editor disa gazeta e revista të njohura të mërgatës antikomuniste shqiptare, si “Kombi Shqiptar”, “Shkumbini” dhe “Koha e Jonë”.

Po ashtu ka botuar vazhdimisht artikuj të ndryshëm në “Shenjzat” (të Ernest Koliqit), “Dielli” dhe në “Progresso”, (italo-amerikano) të Nju Jorkut. Krahas kësaj, në vitin 1983, Lec Shllaku nxori edhe librin “Skënderbeu”. Përveç këtyre aktiviteteve studimore dhe publicistike, Lec Shllaku me mikun e tij Isa Ndreun, që nga viti 1962 kanë nxjerrë revistën “Koha e Jonë” dhe gjithashtu që nga ajo kohë ata kanë drejtuar të gjithë aktivitetin e Partisë Bashkimi Demokrat në diasporë dhe pas vitit 1991, edhe në Shqipëri.

Shllaku dhe Ndreu, botuesit e revistës “Koha Jonë”

Ndonëse Isa Ndreu vazhdoi të qëndronte me banim në Firence të Italisë dhe Lec Shllaku në kryeqytetin francez, Paris, ata të dy nuk i shkëputën asnjëherë lidhjet dhe vazhdimisht takoheshin me njëri-tjetrin sa në Francë dhe në Itali. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tyre në drejtimin e revistës së njohur me përmbajtje antikomuniste “Koha e Jonë” dhe aktivitetin politik në drejtimin e Partisë Bashkimi Demokrat, 87-vjeçari Jonuz Ndreu, dëshmon: “Vëllai im Isa Ndreu, së bashku me mikun e tij të ngushtë, publicistin e njohur të mërgatës antikomuniste shqiptare, Lec Shllaku, miqësinë e vjetër që ata e kishin nisur që kur ishin bashkë ne bankat e shkollës “Normale” të Elbasanit dhe e kishin vazhduar gjatë studimeve në Universitetin e Firences, e mbajtën përsëri edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Vëllai im Isai në ato vite iu kushtua biznesit privat duke u marrë me tregti, ndërsa Lec Shllaku, vazhdoi punën studimore si intelektual dhe publicist. Në vitin 1962, kur Bashkimi Sovjetik i udhëhequr nga Nikita Hrushovi dha shenjat e një politike liberale dhe u afrua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atyre iu lindi ideja që të botonin dhe të nxirrnin një revistë me përmbajtje antikomuniste. Këtë ide ata e bënë realitet po atë vit, duke e nxjerrë revistën me titullin “Koha e Jonë”, të cilën vazhduan që ta botonin rregullisht një herë në muaj për më shumë se 30 e sa vjet me radhë. Në faqet e saj u mblodhën dhe u botuan shumë shkrime nga personalitete të njohura të mërgatës antikomuniste shqiptare, publicistë e shkrimtarë të njohur të vendosur në shtete të botës, si: Arshi Pipa, Tahir Kolgjini, Martin Camaj, Petër Prifti, Xhevat Kallajxhi, Hasan Dosti, Monsinjor Zef Shestani, Ragip Frashëri, prof. Miftar Spahia, Ndue Pjetër Gjomarkaj, Gjon Gjomarkaj, Hiqmet Ndreu, Fehmi Kokalari, Adem Hodo, Isuf Luzaj, Ago Agaj, Rreshat Agaj, Mentor Qoku, Gjon Sinishta, Kimete Basha, Renzo Falaski, Nermin Vlora (Falaski) Vebi Imam Ismaili, Baba Rexhepi etj. Në faqet e revistës u pasqyruan me vërtetësi kultura, tradita, folklori dhe historia e popullit shqiptar, e cila shtrembërohej në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri. Ajo revistë u bë një tribunë e mendimit të lirë të dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë nga e gjithë bota, fjala e të cilëve nuk u censurua asnjëherë siç bëhej në atdheun tonë të okupuar prej klikës së komunistëve të Enver Hoxhës. Ndonëse vëllai im Isai ishte financuesi i vetëm i asaj reviste, ai asnjëherë nuk pretendoi që të fitonte prej saj asnjë dollar, por përkundrazi ai e shpërndante atë falas në të gjithë botën ku jetonte komuniteti shqiptar. Por edhe ajo revistë pati problemet e saj dhe dy botuesit, Isa Ndreu me Lec Shllakun, patën konsekuenca të shumta nga presionet që iu bëheshin të iniciuara dhe kurdisura nga Tirana zyrtare dhe udhëheqja e saj komuniste me në krye Enver Hoxhën. Duke qenë se në Itali e majta komuniste ishte e lidhur ngushtë dhe financohej rregullisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Isai dhe Lec Shllaku që e nxirrnin atë revistë në Firence, u detyruan që ta vinin adresën e saj sikur ajo nxirrej në Paris”, dëshmon 87-vjeçari Jonuz Ndreu, për të vëllanë, Isa Ndreun, dhe Lec Shllakun, të cilët për më shumë se 30 e sa vjet me radhë botuan në Firence të Italisë revistën “Koha e Jonë”.

Kryebashkiaku Parisit, Zhak Shirak, miraton sheshin “Skënderbej”

Por ajo dëshirë e Ndreut, Shllakut, Skënder Zogut dhe e të gjithë komunitetit shqiptar të Parisit, që një nga sheshet e kryeqytetit francez të merrte emërin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, u bë realitet vetëm më 10 korrik të vitit 1978.

Ajo gjë konçidoi pikërisht atë ditë që të gjithë shqiptarët kudo në botë, festonin me madhështi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit. Miratimi i kërkesës së komunitetit të shqiptarëve të Parisit, të përfaqësuar prej Lec Shllakut, Skënder Zogut dhe Isa Ndreut, u bë pas shumë përpjekjeve të zotit Zhak Shirak, i cili në atë kohë mbante funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Parisit.

Lidhur me këtë, Jonuz Ndreu, dëshmon; “Me dhënien e emërit të Skënderbeut, sheshit “Villa Lumier” të Parisit, Zoti Zhak Shirak, jo vetëm që plotësoi një kërkesë të shqiptarëve që jetonin në atë qytet, por ai ngriti lart prestigjin dhe krenarinë e Shqipërisë duke bërë që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të njihej akoma edhe më shumë në Botë”

Si e përjetoi komuniteti i shqiptarëve të Parisit atë eveniment?

Kjo gjë dëshmohet më së miri edhe nga një shkrim i zotit Isa Elez Ndreu, i botuar në ato ditë revistën e tij “Koha e Jonë” ku midis të tjerash thuhet: “Edhe në Paris, në Kryeqytetin e Francës, do të kemi ‘SHESHIN SKËNDERBEG’. Vendimi u muer prej Këshillit Bashkijak, i cili më datë 10 korrik 1978 dha pëlqimin e vet dhe vendosi që Sheshi AZ / 19 të pagëzohet me emërin e Heroit tonë Kombëtar. Për të mbërri në këtë përfundim, që ka gëzue të gjithë Shqiptarët, janë dasht gati dhjetë vjet, historikun e të cillit do ta botojmë në një vëllim të veçantë ma vonë. Nga letra që zoti Lec Shllaku, iu ka drejtue bashkëatdhetarëve, kuptohet se si janë zhvillue bisedimet dhe korespodenca në mes Bashkisë dhe tij, dhe sa vullnet të mirë dhe durim i asht dashtë bashkëatdhetarit tonë, deri sa ia ka arrijtë qëllimit: me përjetësue kujtimin e Skënderbeut në Paris. E përkohshmja “Koha e Jonë” po e jep këtë lajm të gëzueshëm e kënellës, e bindun se të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, do të ndjejnë të njëjtën sedër dhe mallëngjim.

E ndjejmë për detyrë morale e Kombëtare, t’i drejtojmë në rradhë të parë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Jacques Chirac-ut, e Kryetar i Bashkisë së Parisit, tanë mirënjoftjen tonë se dhe falenderimet ma të sinqertat që, me ndërhymjen e vet, e bani të mundshme një mbrekulli të tillë. Falenderimet tona ia drejtojmë edhe Komisionit Kulturor të Bashkisë nëpër mjet Zotit Roger Roman-it, që me mirësi e kopetencë, ka dhanë mendimin të favorshëmrreth meritave tue e cilësue Skënderbeun të meritueshëm dhe të denjë që një shesh a rrugë të nderojë emrin e Tij.

Ma në fund një mirënjohje të thellë ia drejtojmë Këshillit Bashkijak, me anën e përsonës, së Mr. Bernard Rocher, i cili Këshillë vendosi të përjetësojë emnin e Skënderbeut tue i kushtue një shesh të kryeqytetit. Nuk mund të rrimë pa përgëzue edhe mikun e bashkëpunëtorin tonë, Lec Shllakun, i cili me ndërhymjen e vet këmbëngulëse, ia arriti qëllimit”. Isa Elez Ndreu.

Medalja shqiptare për Shirakun

Në shenjë mirënjohje për atë që bëri zoti Zhak Shirak, për shqiptarët, Ndreu, Shllaku dhe Skënder Zogu, ndërmorën nismën dhe i akorduan atij një Medalje Ari, e cila iu dorzua në një ceremoni madhështore në Paris. Në atë ceremoni morën pjesë dhe shumë personaliste të mërgatës antikomuniste shqiptare nga e gjithë Bota, përveç ambasadorit të Shqipërisë që ishte i akredituar asokohe në Paris. Medalia u dha dhe sheshi u emrua rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe, ishin Isa Ndreu e Lec Shllaku, respektivisht kryetari dhe sekretari i Partisë Bashkimi Demokrat që i vunë emrin “Skënderbeg” një sheshi në Paris të Francës. Ishte, kjo përpjekja e parreshtur e Isa Ndreut, devocioni dhe këmbëngulja e tij dhe patriototve të tjerë, në Romë, Paris, dhe Bruksel, që në vitin 1978, u miratua nga Bashkia e Parisit (Këshilli Bashkiak) me kryebashkiakun Zhak Shirak, që sheshi të quhej Sheshi Skëndërbeg.

Lidhur me këtë bëhet fjalë edhe në një shkrim të botuar nga Lec Shllaku, në dhjetorin e vitit 1987, me rastin e dhjetë-vjetorit të dhënies së emrit Skënderbej, sheshit në qëndër të Parisit. Në mes të tjerash aty shkruhet: “Mbasi qe realizue me shumë durim e kokëçamje, pagëzimi i Sheshit kushtue Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Paris, objektivi i dytë ishte ai i një avenimentit tjetër, të afërt në kohë, si ngrehja e monumentit dhe i një medaljes përkujtimore, së pakut, me rastin e 10-vjetorit të parë. Ideja e një monumenti në vehtëvete paraqet një rradhë problemesh e sidomos vështirsinash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe të Punëve Botore, përpos gjetjes së skulptorit të aftë, për të përkrye një vepër arstistike. Por pengesa kryesore asht zgjidhja e problemit financiar, i cili në kushtet që ndodhemi, paraqitet i pazgjidhshëm, pa pasë përkrahjen e autoriteteve Bashkijake të Parisit.

Vetëkuptohet se monumenti i Skënderbeut mbetet një dëshirë, por ai i medaljes që kërkon një shumë të hollash relativisht të ulët, për një rradhë rrethanash të favorshme u realizue. Përvjetori i Vendimit të këshillit Bashkijak të Parisit, për të përjetësue Emnin e Skënderbeut në Kryeqytetin e Francës, u muer më 10 korrik 1978, kështu që në korrikun e ardhëshëm (1988) mbushen plotë dhjetë vjet dhe për atë datë u shkri Medalja Përkujtimore, në formën ma artistike nga Miku i Shqiptarëve, Zoti Josef Baier, në uzinat e tij në Austri.

Inagurimi i Sheshit u zhvillue më datat 6 dhe 7 maj të vitit 1980-të, në Paris dhe ishte zoti Baier ai që gjeti kohë dhe mundësinë për realizimin dhe shkrimjen e Medaljes, duke e parë atë edhe nga vështrimi historik. Duhet të theksojmë këtu me dashamirësi dhe simpati se zoti Baier e ka prodhue medaljen pa asnjë shpërblim, falas, vetëm me realizue dëshirën tonë: atë që të përkujtojmë edhe njëherë Skënderbeun në dhe të huej por Mik. Por na medaljen e vejmë në dispozicion të bashkëatdhetarëve me një çmim të arsyeshëm, dhe shuma që do të mblidhet nga shitja e medaljes, do të përdoret për shkrimjen e një cope prej ari.për t’ia dhurue zotit Jacues Chirac, të cilën do t’ia dorzojë një përfaqësi shqiptare, tue i shprehun, njëkohësisht mirënjohjen tonë për ndërhymjen e tij në favor të përjetësimit të Skënderbeut në toponiminë Ville Lumierë.

Tue konsiderue çmimin e naltë të arit (metal) dhe se medalja ka përmasa (dimensione) të konsiderueshme dhe një peshë prej 90 gramësh, u drejtohemi bashkëatdhetarëve të na përkrahin tue ble medaljen, në mënyrë që të kryejmë në këtë rast, një gjest fisnik ndaj zotit Chirac, tue ia kthye nderin që na ka ba. Dëshira jonë asht që me rastin e 10-vjetorit (korrik 1988) të bajmë një mbledhje bashkëatdhetarësh në Sheshin Skënderbej në Paris.

Për këtë arsye iu drejtohemi miqëve dhe dashamirëve që dëshirojnë të marrin pjesë në atë eveniment, që të kenë mirësinë që të na njoftojnë më parë duke kontaktuar me ne. Po në atë rast mendohet të themelohet; Cercle Franco-Alabnias Scanderbeg; i cili do të merret ekskluzivisht me çështje kulturore e shoqnore dhe në krye të tij do të jetë një personalitet francez.

Përfitojmë nga rasti të theksojmë se projekti për një përmendore të Skënderbeut dhe të tejtimit në gjuhën shqipe nga Radio Franceze Internacionale, në bazë të letërshkëmbimeve me Ministrinë përkatëse, do të ketë rezultate pozitive. Tue ju urue gjitha të mirat dhe festat e ardhshme, ju përshëndes me miqësi, Paris, Dhetor 1987”, shkruan Lec Shllaku në Revistën “Koha Jonë”

Kush është Jonuz Ndreu

Jonuz Ndreu lindi në vitin 1932. Ai është djali i parafundit nga fëmijët e Cen Elezit, të birit të Elez Isufit nga Sllova e Dibrës, i cili edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, është njohur dhe vlerësuar si një nga patriotët më të mëdhenj përkrah Bajram Currit. Duke qenë se Cen Elezi ishte një nga nacionalistët dhe antikomunistët më të njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në marsin e vitit 1946, regjimi komunist e shpalli atë armik. Nisur nga kjo dhe për t‘i shpëtuar arrestimit nga Brigadat e Ndjekjes, Cen Elezi u largua nga shtëpitë e tij në Sllovë të Dibrës, dhe qëndroi i fshehur në male së bashku me disa nga vëllezërit dhe djemtë e tij. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati, në vitin 1949 ai u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Aty ai vdiq nën tortura nga komunistët sllavo-maqedonas në burgun e Shkupit ku u mbajt i izoluar për disa muaj me radhë. Që nga viti 1946, kur Cen Elezi doli në mal në arrati, regjimi komunist i Tiranës ia internoi familjen, me gra dhe fëmijë, në Kalanë e Beratit. Një nga ata fëmijë që u internuan në atë kohë në Berat, ishte dhe djali i parafundit i Cen Elezit, Jonuzi, i cili në atë kohë nuk ishte më shumë se 14 vjeç. Po si mundi Jonuz Ndreu të arratisej nga Shqipëria dhe të vendosej me banim të përhershëm në SHBA? Lidhur me këtë ai dëshmon: “Pasi na lanë disa kohë në qytetin e Beratit, ne përsëri na internuan familjarisht në kampin e tmerrshëm të Tepelenës ku vdisnin mesatarisht nga shtatë-tetë vetë në ditë. Pasi qëndruam disa kohë në atë kamp, mua me vëllanë tjetër, Tafilin, na lëvizën përsëri dhe na çuan me punë të detyrueshme në një fshat të Gramshit. Duke qenë se nuk mund ta përballonim dot shtypjen dhe persekucionin e egër ndaj familjes sonë, unë me Tafilin vendosëm të arratiseshim nga Shqipëria. Pas këtij vendimi ne ikëm nga Gramshi dhe pasi qëndruam disa kohë të fshehur në malet e Dibrës, aty nga fundi i vitit 1949, kaluam kufirin ilegalisht e dolëm në Jugosllavi, së bashku edhe me disa persona si; djali i Fiqëri Dines, Xhelali, Abdulla Kaloshi e Muhamer Kadriu. Në Jugosllavi ne na lanë disa kohë në kampin e Gerovës në Kroaci dhe më pas me ndihmën e një shoqate bamirësie ne mundëm që të shkonim në Itali si azilantë politikë. Pasi qëndruam disa kohë në Itali, unë munda që të shkoja në Republikën Federale Gjermane ku shërbeva për disa kohë në një nga bazat amerikane që ishin vendosur asokohe në atë vend. Pasi shërbeva për pesë vjet pranë asaj baze ushtarake, dola në lirim si civil dhe që andej emigrova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bashkova me disa pjesëtarë të tjerë të fisit tonë, të cilët prej vitesh jetonin aty si azilantë politikë”, kujton Jonuz Ndreu largimin e tij nga Shqipëria dhe vendosjen në SHBA. Që nga ajo kohë e deri më sot, ai vazhdon të jetë me banim në Nju Jork, ku deri para pak vitesh ka punuar si kujdestar në një kompleks apartamentesh të një firme tepër të njohur. Krahas asaj pune private, Jonuz Ndreu është i njohur në të gjithë komunitetin e shqiptarëve që banojnë në SHBA, edhe si veprimtar e anëtar i kryesisë së shoqatës patriotike “Vatra”, dhe për aktivitetin e tij në radhët e mërgatës antikomuniste që jeton prej vitesh në atë vend të largët përtej Atlantikut. Aq popullaritet të madh gëzon Jonuz Ndreu në komunitetin e shqiptarëve të Amerikës, sa që kur ai u shtrua në një spital pas një aksidenti automobilistik, shkuan për ta vizituar me qindra e qindra bashkatdhetarë të tij shqiptarë të diasporës. Ajo gjë u bëri përshtypje të madhe mjekëve të spitalit, të cilët pyesnin të habitur se kush ishte pacienti i tyre. /Dashnor Kaloçi /Memorie.al