Protestuesit ‘jelekverdhë’ vazhdojnë me protestat e tyre kundër presidentit francez Emannuel Macron. Policia franceze njoftoi se një nga protestuesit ka marrë lëndime në dorë, ndërsa dhjetë të tjerë janë arrestuar gjatë trazirave në protestat e sotme në Paris, që mbahen në fundjavën e 13-të me radhë.
Në njoftimin e policisë thuhet se protestuesit të lënduar, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet, i është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes. Më tej thuhet se dhjetë demonstrues janë arrestuar, meqë janë përleshur me pjesëtarët e forcave të sigurisë afër bulevardit Champs-Elysees.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit, të cilët u përgjigjën me hedhjen e sendeve të ndryshme.
Protestuesit kaluan ndërtesën e Kuvendit nacional, ndërsa protestat e sotme planifikohen të përfundojnë pranë Kullës Eiffel.
“Jelekverdhët” i nisën protestat e tyre fillimisht kundër rritjes së taksës së karburantit e më pas pakënaqësia e tyre u zgjerua duke kundërshtuar politikat e presidentit francez.
Megjithatë, presidenti francez, Emmanuel Macron, që është objektivi kryesor i protestuesve, duket se dalëngadalë po kthen mbështetjen e popullit, ndërsa përmes kësaj tenton të qetësojë “jelekverdhët” me debatin politik që filloi kohët e fundit./real-news.tv/

