Një ngjarje e rëndë ka shokuar gjithë shoqërinë në Rumani. Një valë akuzash janë lëshuar drejt policisë vendase për paaftësi, për shkak të reagimit të ngadaltë të saj ndaj telefonatave të një 15 vjeçareje të tmerruar, e cila qe rrëmbyer e përdhunuar, e më pas u gjet e vrarë.
Alexandra Macesanu kishte marre disa herë në telefon duke treguar zonën se ku ndodhej, por polici në shërbim i kishte thënë të qëndronte aty ku ishte e të mos ia bllokonte më linjën.
Forcave të rendit iu deshën 19 orë për të lokalizuar shtëpinë ku vajza u gjet më vonë e pajetë. Adoleshentja u rrëmbye ndërsa bënte autostop në afërsi të qytetit Caracal, në jug të vendit, në të njëjtin vend ku u zhduk në muajin prill 18 vjeçarja Luiza Melencu. Mekaniku 65 vjeçar Gheorghe Dinca, e ka pranuar tashmë vrasjen e Alexandrës.
E gjithë kjo ngjarje, e cila shkaktoi protesta te mëdha, ka sjellë edhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm rumun, Nicolae Moga. Ministri i Brendshëm Moga deklaroi se kishte vendosur te paraqiste dorëheqjen për të shpëtuar një pjesë të prestigjit të institucionit që drejtonte, e që sipas tij, ishte prekur rëndë nga mangësitë e disa punonjësve të vet.

