Jeta e izoluar në Kashmir pas heqjes së autonomisë

kashmir-isolation.jpg

12 milionë banorët e Kashmirit jetojnë tashmë në izolim total.

India vendosi të hënën që të anulonte artikullin 370 në Kushtetutën e saj, që njihte autonominë e rajonit të Kashmirit. Vendimi u pasua me protesta të shumta në rrugët e rajonit dhe qeveria federale mori vendim për mbylljen e shumë shkollave, fikjen e internetit dhe ndërprerjen e valëve për telefonat.

Në shtetin me shumicë myslimane pas tri ditësh kanë filluar edhe problemet në shumë fusha. Industria e turizmit që ishte në lulëzim në rajonin e Himalajës është ndaluar dhe pronarët e bizneseve po përballen me humbje të mëdha.

“Qeveria e kryeministrit indian Narendra Modi u dha atyre turistëve afat prej 24 orësh për të lënë luginën e Kashmir.Ai e bëri atë në një moment shumë të gabuar kur sezoni turistik ishte në kulmin e tij. Ne po kalojmë me humbje të paimagjinueshme pasi turistët u larguan”- tha Abdul Gaffar, një pronar i varkave në Srinagar.

Me anulimin e nenit 370, India e ndau rajonin në dy territore. Para se të merrte këtë vendim shteti indian vendosi 10 mijë trupa në këtë rajon duke u pasuar edhe me një urdhër të paprecedentë duke kërkuar nga turistët dhe pelegrinët Hindu që të largoheshin nga lugina. Po ashtu, India vendosi një shtetrrethim në disa pjesë të territorit, mbylli telekomunikacionin dhe arrestoi liderët politikë.

Gaffar tha se prioriteti i Modit ishte të nxirrte hindusët nga Kashmiri.

“Ai nuk mendoi për myslimanët. Sikur të mendonte për ne, ai kurrë nuk do t’i kishte porositur turistët që të dilnin jashtë luginës së Kashmirit”.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303