Juncker dhe May bisedime konstruktive në Bruksel

Bashkimi Europian nuk do të rihapë marrëveshjen e divorcit mbi Brexit, siç kërkohet nga Londra, por mund të ndryshojë deklaratën e politikave shoqëruese, deklaroi presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në takimin me kryeministren britanike, Theresa May.

Në një deklaratë të përbashkët, Theresa May dhe Jean-Claude Juncker kanë përshkruar bisedimet e tyre për ndryshimin e marrëveshjes së Brexit si “të fuqishme por konstruktive”.

Presidenti i Komisionit Evropian theksoi se marrëveshja e tërheqjes nuk mund të ndryshohej, siç dëshiron Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti Juncker ka shprehur gatishmërinë e tij për të hapur dhe për të shtuar formulimin e Deklaratës Politike të 27 vendeve dhe Londrës në mënyrë që të jetë më ambicioze në aspektin e përmbajtjes dhe shpejtësisë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e ardhshme mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

‘’Çdo zgjidhje duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare’’, vë në dukje Juncker.

Juncker dhe May vendosën të takohen përsëri përpara fundit të shkurtit./real-news.tv/