Pas dëgjimit të dëshmive për gati tre muaj, një juri në Nju Jork mblidhet sot për të vendosur rreth rastit të El Chapos, baronit famëkeq meksikan të drogës.
Anëtarët e jurisë dëgjuan dëshmi nga më shumë se 50 dëshmitarë të prokurorisë lidhur me fuqizimin e 61-vjeçarit Joaquin “El Chapo” Guzman si kreu i kartelit të drogës Sinaloa.
Prokurorët thanë se ai trafikoi tonelata kokainë, heroinë, marihuanë dhe metamfetaminë në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy dekada, duke konsoliduar fuqinë e tij në Meksikë përmes vrasjeve dhe luftërave me kartele rivale.
El Chapo është sidomos i njohur për arratisjen dy herë nga burgjet meksikane para se të kapej për herë të tretë para tre vjetësh.
Departamenti amerikan i Thesarit e konsideronte atë si “trafikantin më të fuqishëm të drogës në botë”.
Në argumentet përmbyllëse javën e kaluar, prokurorja amerikane Andrea Goldbarg tha se Guzman ishte duke planifikuar një tjetër arratisje nga burgu pasi u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017. Që nga ajo kohë, ai është mbajtur në izolim./real-news.tv/

