Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se do t’i nisi një letër Komisionit të Venecias me disa konsiderata dhe pyetje për draftin e tyre.
Ju vetë personalisht jeni dakord me draftin e Venecias?
Ilir Meta: Unë mendoj se qëndrimi do të bëhet nesër publik. Do të jetë një qëndrim zyrtar, do të ketë një letër timen si president i Republikës drejtuar presidentit të Komisionit të Venecias dhe të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias me disa konsiderata për këtë draft paraprak. Do të ketë edhe disa pyetje që të ndihmohet më tej komisioni i Venecias për shterimin e kësaj çështje. Po kështu do të jetë i publikuar drafti i opinionit të komisionit dhe njëkohësisht dhe qëndrimi i institucionit të presidencës.
Në një intervistë që keni dhënë për Çim Pekën keni deklaruar së ka mundësi, me të gjithë respektin për Komisionin e Venecias keni deklaruar se shpreson që komisioni nuk do të bëhet në bazë të lobimeve, fjalëve apo gjërave të tjera siç ndodh me ambasadat në Shqipëri? Keni frikë se ka ndodhur këtë herë?
Ilir Meta: Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë frikë për institucionin e Presidentit sepse jam shumë i qartë në të gjitha veprimet publike që kam bërë lidhur me çështjen në fjalë. Ato janë bërë përballë qytetarëve shqiptar dhe i vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias pasi mendoj se kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin.
Po pse ju i intereson integriteti i Komisionit të Venecias dhe jo integriteti i institucioneve në Shqipëri Z.Meta?
Ilir Meta: Tani, nëse do të kishim ruajtur integritetin e institucioneve në Shqipëri do të kishim situatë krejtësisht tjetër përsa i takon funksionimit të demokracisë në vend. Nuk do të kishim një temë të tillë, nuk do të kishim një krizë të tillë, nuk do të ishim pa gjykatë kushtetuese qëllimisht prej më shumë se dy vitesh. Nuk do të ishim në kolaps institucional.

