Kërkuan azil në vendet e BE-së, 60 shqiptarë riatdhesohen

Shanset që shqiptarët të fitojnë azil në vendet e BE-së janë zero por prapë shqiptarët e tentojnë dhe e pësojnë keq.

Vetëm pak më parë janë riatdhesuar 60 shqiptarë në Rinas, për shkak të refuzimit të azilit në vendet e BE. Mësohet se 55 nga shqiptarët u riatdhesuan nga Franca dhe 5 të tjerë nga Belgjikë.

Sakaq, shkak është bërë qëndrimi i parregullt në këto vende. Ndërkohë Policia e Shtetit i bën thirrje shqiptarëve të mos kërkojnë azil pasi shanset janë zero.

“Në vazhdim të organizimit të operacioneve të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë me qëndrim të parregullt në territorin francez, si edhe për persona apo familje, të cilëve iu është refuzuar azili në Francë, mesditën e sotme u organizua operacioni i riatdhesimit, si rezultat i bashkëpunimit mes Francës dhe FRONTEX-it, me nisje nga aeroporti Lille Lesquin.

Gjatë këtij operacioni u riatdhesuan gjithsej 60 shtetas shqiptarë , nga këta 55  nga Franca dhe 5 nga Belgjika, të cilët kishin  vendim për dalje nga territori francez apo belg, për shkak të qëndrimit të parregullt apo kërkimit të azilit në këto vende.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.

Ndërkohë Policia Kufitare ka forcuar  kontrollet në pikat e kalimit kufitar, në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe me patrulla të shtuara në kufirin jeshil për të parandaluar kalimin e paligjshëm të kufirit”, thuhet në njoftimin e policisë.