Kriza politike, ish-presidentët me sytë nga Ilir Meta

Dy ish-presidentët Alfred Moisu dhe Rexhep Meidani gjatë Konferencës së Lidershipit Ballkanik kanë folur për krizën politike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Moisiu u shpreh se për krizën e krijuar në vend ishte fajtore edhe BE-ja, e cila gjithmonë ka ofruar zgjidhje momentale dhe jo rrënjësore të problemeve në Ballkan.

“Nuk ka vullnet për zgjidhje të krizave në Shqipëri. Me keqardhje e them se deri tani nga ana e BE-së ka pasur zgjidhje oportune dhe jo zgjidhje rrënjësore. Duhet të zgjidhen një herë e mirë të shkaqeve që kanë shkaktuar këto konflikte” – tha Moisiu.

Moisiu u shpreh gjithashtu se edhe presidenti aktual, Ilir Meta duhet që të ndërhynte në mënyrë që të arrihej në një zgjidhje të situatës.

“Mendoj se presidenti aktual Ilir Meta duhet të ndërhyjë. Kështu nuk mund të ecet përpara. Sesi e bën ndërhyrjen dhe tenton ta zgjidhë ngërçin politik, këtë e di presidenti Meta. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet.”

Edhe ish-presidenti Meidani u shpreh pro një dialogu brenda palëve politike duke dënuar vendimin e opozitës.

“Teorikisht jam pro për t’u mbledhur kjo klasë politike dhe për ta diskutuar zgjidhjen e krizës. Mirëpo, praktikisht kjo varet nga klasa politike. Ndërsa, për djegien e mandateve nga opozita, mendoj se është vendim in-exremis. Nuk duhet futur fitili në zjarr. Zgjidhja është në tavolinë. Palët duhet të ulen”, u shpreh ish-kreu i shtetit shqiptar Meidani.

Më tej, Moisiu ka folur dhe për krizën aktuale Kosovë-Serbi duke u treguar i prerë. Sipas tij askush nuk duhet të fshihet apo të bëjë akuza të pavërteta në një kohë kur shumë qartë mund të dallohet viktima nga agresori.

“Të mos fshihemi si struci dhe të mos ngatërrohet agresori me viktimën, siç është rasti i Kosovës me Serbinë. Situata mes tyre është shumë e qartë.”