Kurti uron 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në video mesazhin, të cilën e ka publikuar vetë Kurti, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se Kosova nuk është në ditët e saj më të mira, por për popullin ka shpresa më të mëdha se kurrë më parë.

“Të dashur qytetarë, urime pavarësia e Republikës sonë. Viti i 12-të i saj është përpjekja jonë e vazhdueshme për të cilën puna nuk përfundon asnjëherë. Ajo ishte ideali përbashkues i brezave para nesh dhe vijon të jetë sfida përpara nesh. Sot Kosova është një hap prapa popullit të vet, ajo nuk është në ditët e saj më të mira, por populli ka shpresa më të mëdha se kurrë më parë. Shpresa e popullit është detyra jonë. Ne, të gjithë kemi mospajtimet e dallimet tona por si Qeveri është koha të marrim vendime”.

“Nuk do të ju shmangemi vështirësive, por do t’ju bëjmë ballë atyrë. Këto vendime do ta lartësojnë Kosovën në nivel me popullin e saj. Sepse, detyra e Qeverisë është të jetë në hap me popullin për çfarë i takon dhe e meriton ai. Fisnike dhe madhështore. E pa nënshtrueshme dhe e vendosur. Potenciali i popullit të Kosovës ishte shumë më përpara se kapaciteti i qeverive të deritanishme. Tani do të kemi qeveri e cila do t’i realizoj kërkesat e qytetarëve të saj. Të rinjtë tanë tregojnë më shumë suksese jashtë se këtu, kjo sigurisht që është shumë e dhimbshme, por është edhe shpresëdhënëse. E dhimbshme sepse nuk po zhvillohet këtu, e shpresëdhënëse, sepse do të mund të zhvillohet edhe këtu”, ka thënë Kurti në video adresimin e tij.

Kryeministri ka bërë thirrje që të gjithë të bëhen bashkë e të punojnë për ditë më të mira.

“Më lejoni që edhe një herë të ua uroj këtë ditë të rëndësishme për vendin tonë. Të bëhemi bashkë e të punojmë për ditë më të mira”, ka pohuar Kurti.