Home Blog Page 15

Tubimi i opozitës, Rama: Protesta si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e Partisë Demokratike të mbajtur një ditë më parë, më 24 janar, e cila u shoqërua me akte dhune, hedhje molotovësh dhe përplasje me forcat e rendit.

Në një reagim të ashpër, Rama e cilësoi protestën si një akt të organizuar dhune, duke e krahasuar me skenarë ekstremistë të njohur në historinë europiane. Sipas tij, ndonëse në Europë ka protesta të grupeve të ndryshme — anarkistë, ekologjistë, studentë apo ekstremistë — ekziston vetëm një parti parlamentare që, sipas Ramës, e ka dhunën pjesë të pandarë të aktivitetit të saj që nga lindja.

Ai akuzoi drejtuesit e opozitës për mobilizimin e grupeve paramilitare dhe individëve të maskuar, të rekrutuar për të ushtruar dhunë, për të sulmuar institucione shtetërore dhe për të dëmtuar prona publike e private, duke plagosur punonjës policie.

“Këto lloj protestash, me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon,” shprehet Rama, duke e cilësuar situatën si një “degjenerim të pandalshëm dhe dëshpërim të pangushëllueshëm”.

Në përfundim, kryeministri ka shprehur solidaritetin e tij me punonjësit e Policisë së Shtetit që u plagosën dhe u lënduan gjatë protestës, duke u uruar atyre shërim të shpejtë.

Reagimi i Edi Ramës

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.

23 të shoqëruar nga policia/ Deputetët e opozitës: Kërkojmë takim me shefin e Komisariatit Nr. 1, Elton Shahini, por ai fshihet

0

Ndonëse protesta e opozitës ka përfunduar, tensionet ende nuk kanë përfunduar.

Policia deri më tani ka shoqëruar 23 protestues të shoqëruar dhe për shkak të kësaj, në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet ka tensione.

Deputetet e Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Gazment Bardhi, u përplasën me policinë në ambientet e brendshme të komisariatit, ku janë shoqëruar protestuesit.

Ndërkohë Tomor Alizoti thotë se kërkohet takim me shefin e komisariatit, Elton Shahini, për të marrë informacion, por ai, sipas tij, fshihet

“Çfarë problemi ka. Pse është kjo mbrojtje. Duam të takojmë shefin e policisë e pyesim si është puna për hallexhinjtë që keni kapur. Na sqaroni”, thotë Tomorri.

Në mbështetje të policisë ka mbërritur dhe një grup i “Shqiponjave” që është në gatishmëri.

Policia mobilizohet te Kuvendi, fiken dritat e rrugës! Shpërndahen me ujë protestuesit

0

Protesta e opozitës këtë të shtunë vijon ende te Kuvendi me tensione, njëlloj si te Kryeministra. 

Policia është mobilizuar pranë Kuvendit, ndërsa në disa rrugë janë fikur dritat për të menaxhuar situatën.

Makina për shpërndarjen e ujit ka shpërndarë protestuesit, duke treguar gatishmërinë e forcave për të kontrolluar turmën.

Tension në protestën e opozitës! Molotov, gaz lotsjellës dhe përplasje fizike, arrestohen 20 protestues

0

Këtë të shtunë u zhvillua një protestë e thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë, e cila u tensionua pas fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha. Protestuesit hodhën Molotov dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë.

Më pas, ata u shpërndanë me gaz lotsjellës dhe ujë nga policia. Protestuesit më pas u zhvendosën drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku pati edhe përplasje fizike mes tyre dhe forcave të rendit.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve, policia ka arrestuar 20 protestues.

Molotovë dhe gaz lotsjellës, Kryeministria kthehet në “skenë krimi”, zbarkojnë ekspertët

0

Pas hedhjes së molotovëve dhe gazit lotësjellës, Kryeministria është rrethuar nga ekspertët si “skenë krimi”.

Në zonën rreth godinës janë vendosur shiritat e verdhë, ndërsa ekspertët kriminalistë janë në terren.

Protestuesit, në përfundim të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, hodhën molotov dhe sende të forta drejt kryeministrisë, ndërsa më pas u shpërndanë nga policia që përdori gaz lotsjellës.

Protestuesit  më pas afruan në drejtim të godinës së Kuvendit

Molotovët drejt Kryeministrisë, plagosen disa efektivë, merren nga ambulanca

0

Si pasojë e sulmit me bomba molotov nga protestuesit ndaj punonjësve të policisë përpara Kryeministrisë, disa punonjës policie kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

“Dita e gjykimit”, nis protesta e opozitës para Kryeministrisë

0

Këtë të shtunë po mbahet protesta e dytë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e thirrur nga opozita kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka, dhe demokratë të tjerë dhe iu është bashkuar protestuesve në sheshin përballë Kryeministrisë.

Rreth 1 mijë e 350 efektivë policie janë vendosur në terren për të siguruar rendin publik. Si pjesë e planit të masave, rrugët kryesore pranë qendrës së Tiranës janë bllokuar dhe hyrja e Kryeministrisë është fortifikuar.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kjo është dita kur qytetarët “do t’i bëjnë gjyqin kryeministrit Rama”, duke e cilësuar protestën si më të madhen që është mbajtur ndonjëherë në Tiranë.

Mbi 1300 efektivë, në gatishmëri edhe RENEA: Kryeministria fortifikohet me gardh metalik, çfarë do ndodhë në protestën e opozitës?

0

Sot në orën 17:00 përpara Kryeministrisë do të zhvillohet protesta e opozitës do të mbahet sot në 24 janar, ora 17:00 përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sakaq, policia ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Mbi 1300 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.

Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë  që do të qëndrojnë pas Kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh, ndërsa godina e Kryeministrisë është ‘veshur’ me gardh metalik.

Policia e Tiranës i ka kërkuar PD-së se duhet të përcaktojë edhe një orar të mbylljes së protestës, por selia blua nuk ka kthyer përgjigje.

Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.

Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë.

Sot protesta kombëtare e PD-së, ja rrugët që bllokohen në Tiranë!

0

Ashtu siç ka paralajmëruar kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, PD do të mbajë sot në 24 janar protestën kombëtare përpara Kryeministrisë.

Protesta pritet të nisë në orën 17:00. Berisha ka deklaruar se kjo protestë do të jetë e fuqishme dhe se Rama do të largohet nga pushteti.

Ndërkaq, policia ka ndërmarrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës. Disa segmente kryesore do të bllokohen për automjetet private, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit do të bllokohen segmenti nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e policisë për të mos penguar lëvizjen e pjesëmarrësve.

Bllokime dhe kufizime të qarkullimit

Në kuadër të zhvillimit të protestës, Policia e Tiranës njofton se do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Konkretisht, nga ora 23:45 e mbrëmjes së djeshme do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ deri në rrugën ‘Ismail Qemali’”.

Po ashtu, ditën e sotme, nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokim të plotë të qarkullimit të automjeteve në disa segmente të rëndësishme rrugore.

“Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi ‘Nënë Tereza’, si dhe në rrugët ‘Ukraina e Lirë’, ‘Papa Gjon Pali II’ dhe ‘Ismail Qemali’”, njofton policia.

Devijim trafiku

Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të tubimit dhe situatës në terren, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore të kryeqytetit.

Në raste të tilla, janë parashikuar masa për devijimin e qarkullimit në rrugë alternative, me qëllim lehtësimin e lëvizjes për qytetarët. 

“Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, thuhet më tej në njoftim.

“Përdorni rrugë alternative”

Në përfundim, Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar mbarëvajtjen e tubimit.

Gjithashtu, duke iu referuar disa deklaratave publike, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm.

 “I bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës.

Apeli i Posaçëm lë në burg anëtarët e grupit ‘RRAJA’, mes tyre djali i ish-deputetit socialist!

0

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për grupin “Rraja“, mes tyre edhe djalin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraha, Rexhep Rraja.

Në njoftimin e Apelit bëhet me dije se në burg janë lënë shtetasit, Islam Sefa, Rexhep Rraja, Perparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Zamir Aliaj, Jani Cavo, Marvin Bushati.

Ky grup u zbuluan pas zbërthimeve të përgjimeve në aplikacionin SKY ECC dhe akuzohen për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Njoftimi i GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 

1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. 

Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. 

U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.