Lali bllokon ‘lambon’ se parkoi keq. Po me ata që s’ia mban xhepi të parkojnë çdo bëhet?!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, na qenka krenuar sot se vartësit na paskan bërë një akt heroik, i kanë vënë gjobë një lamboje.

Nëpërmjet një postimi në Facebook “Lali” na tregon foton e gjobitjes së një Lamborghini në ditën e sotme në kryeqytet. ‘’Makina yll, parkimi fyll. Herën tjetër kur të parkosh lambon gjeje një vend më të mirë. Po pse më çuna?! Më doli goja duke ju thënë!’’’, na shkruan me ironi Veliaj, duke na paralajmëruar se përderisa nuk na e paska toleruar këtë të ‘fortin’ me lambo ta harrojmë ne të tjerët me makina të thjeshta se tolerohemi.

Në fakt e në të gjithë këtë që ka shkruar Veliaj ironikisht ka të drejtë në një farë kuptimi. Aq të kripura sa na i ka bërë parkimet në Tiranë, vetëm ‘lambot’ do të mund të parkohen.

Nuk e dimë se si parkon vetë kryebashkiaku ynë. Do thoni ju ai udhëton me biçikletë! Po po patjetër, vetëm kur ka kamera përballë. Sepse kur shkon çdo mëngjes në bashki e pret makina tek hyrja e godinës, ku ‘Lali’ ia lejon vetes që ta vendosë, duke mos marrë gjobë se ajo lamboja e mësipërme.

Ne kemi një thirrje për kryetarin tonë: Shumë mirë bën që na i bllokon makinat e shtrenjta por na e krijo dhe ne të tjerëve mundësinë të mund ta kemi një makinë të thjeshtë. Kaq sa na i ke bërë parkimet nuk na e lë xhepin të mbajmë as një që kushton sa një gomë e lambos.

Do na thuash që ju na mundësuat pullat për rezidentë. Mirë, rrofsh, por sikur edhe bashkë me pullat të na kishe bërë edhe parkingje nëpër lagje që të na hynin në punë edhe pullat mirë do ishte.

(Real-news.tv)