Nxjerrja e vogëlushit Alvin Berisha nga kampi famëkeq i ‘Al Hol’ në Siri, ishte padyshim lajm i mirë që gëzoi të gjithë shqiptarët. Në shenjë nderimi për kontributin e tij, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka akorduar medaljen “Mirënjohje publike”, zotit Marc I. Ghorayeb, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Shqipërisë në Liban, me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta për sigurimin e kushteve për lirimin nga kampi Al Hol, Siri, të shtetasit shqiptar, Alvin Berisha”.
Ceremonia e dorëzimit të medaljes u zhvillua në Ministrinë e Brendshme, gjatë një vizite që Ghorayeb po zhvillon në Tiranë. Ministri Lleshaj vlerësoi fort angazhimin e tij, si një gjest qytetar, më shumë e përtej detyrës.


