Lufta për të kapur spiunët rusë

Shefat e sigurisë në Estoni, Letoni dhe Lituani shqetësohen se Kremlini ka rritur rekrutimin jo vetëm të njerëzve të ngarkuar me aktivitetin klasik të spiunazhit, siç është mbledhja e informacioneve të ndjeshme, por mundësisht edhe për të hedhur bazat për sabotime dhe subversion, sipas zyrtarëve të Balltikut.

Të tre vendet po përpiqen të përgatiten më mirë për një luftë hibride, në rast se fqinji i tyre i madh vendos të fillojë llojin e fushatës së destabilizimit hibrid që zhvillon prej vitit 2014 në Ukrainë. Brenda këtij viti, një njësi speciale e koordinuar do të fillojë punën me ndihmën e SHBA.

Të enjten, bankat letoneze morën pjesë në një stërvitje që simulon një krizë të nxitur nga Rusia për të provuar rezistencën e tyre.

“Aftësia e sektorit financiar për të punuar gjatë luftës hibride është një pjesë thelbësore e sistemit gjithëpërfshirës të mbrojtjes kombëtare,” tha Ministri i Mbrojtjes i Letonisë Artis Pabriks. Ai shtoi, “Për këtë arsye, ne organizojmë ushtrime të tilla me banka dhe institucione të tjera kryesore të këtij sektori.”

Testet e qëndrueshmërisë së bankave, të cilat synojnë të sigurojnë se sa janë në gjendje t’i rezistojnë hakerimit dhe sabotimit, u zhvilluan pasi Rusia përfundoi një stërvitje detare masive në Detin Baltik. Stërvitja, e cila u zhvillua nga 1 deri në 9 gusht, përfshinte 49 anije luftarake, 20 anije mbështetëse dhe më shumë se 10,000 personel ushtarak dhe ishte më e madhe se një stërvitje detare vitin e kaluar në Detin Mesdhe, thonë ekspertët perëndimorë të mbrojtjes.

Sipas Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, që nga viti 2014 spiunët rusë dhe agjentët e tyre janë kapur në një numër më të madh se zakonisht në shtetet baltike. Afërsia e këtyre vendeve me Rusinë, trashëgimia dhe e kaluara e tyre sovjetike si dhe komunitetet e konsiderueshme etnike ruse i bëjnë shtetet baltike veçanërisht të rrezikuara nga aktivitetet e spiunazhit të Kremlinit, thonë analistët./Voa