Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro ka thënë se ai nuk mund të përjashtojë mundësinë e luftës civile, teksa është duke u rritur presioni ndaj tij për t’u larguar nga pushteti.
Në një intervistë televizive, ai ka paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump se mund të largohet “me njolla gjaku” nga Shtëpia e Bardhë, nëse ndërhyn në krizë.
Ai po ashtu ka kundërshtuar të thërrasë zgjedhje të parakohshme, edhe pse Bashkimi Evropian e ka paraqitur të dielën si ditën e fundit për ta bërë një gjë të tillë.
Prandaj këto shtete kanë bërë të ditur të hënën se njohin zyrtarisht udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.
Gjatë intervistës së tij për program televiziv spanjoll, Salvados, Maduro është pyetur nëse kriza në Venezuelë mund të rezultojë me luftë civile.
“Sot askush nuk mund të përgjigjet në këtë pyetje me siguri. Ne kërkojmë që askush të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme dhe jemi të përgatitur për të mbrojtur shtetin tonë,” ka thënë ai.
Ndërkohë presidenti amerikan i ka thënë transmetuesit amerikan, CBS se përdorimi i forcës ushtarake “është një mundësi” që mund të realizohet në Venezuelë.
Maduro, në anën tjetër, ka paralajmëruar SHBA-në se ai rrezikon përsëritjen e Luftës së Vietnamit, në rast se ndërhyn.
“Ndaluni. Ndalu Donald Trump! Jeni duke bërë gabime që do të lënë duart e përgjakura dhe do të largoheni nga presidenca me njolla të gjakut”, ka thënë ai.
“Le të respektojmë njëri-tjetrin, apo kërkoni të përsërisni Vietnamin në Amerikën Latine?”
Të hënën, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian ka thënë se Guaido ka “legjitimitet për të organizuar zgjedhjet presidenciale”.
“Njerëzit janë në rrugë, njerëzit duan ndryshim”, ka thënë ai për transmetuesin France Inter.
Maduro në anën tjetër është përgjigjur ashpër ndaj këtij ultimatumi.
“Ne nuk pranojmë afate nga askush. Është sikur t’i kërkoj unë Bashkimit Evropian që brenda shtatë ditëve të njohë Republikën e Katalonjës, dhe nëse nuk ndodh diçka e tillë, ne do të marrin masa”./real-news.tv/

