fbpx

Manastirliu në Durrës: Zero tolerancë bizneseve, respekt protokolleve anti koronavirus

Toleranca do të jetë zero për të gjithë ata pushues apo biznese në plazhe që nuk respektojnë rregullat kundër COVID-19.

Deklarata është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi në Durrës, e shoqëruar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë.

Në komunikim me të pranishmit ministrja Manastirliu u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë e bizneseve për masat dhe protokollet e vendosura.

Ajo është shprehur se janë dyfishuar grupet e inspektimit në zonat bregdetare për zbatimin e masave dhe protokolleve anti-COVID, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

“Përgjatë fundjavës ka pasur disa shkelje të protokolleve sidomos përgjatë bregdetit duke qenë se sezoni turistik është hapur. Ne po dyfishojmë ekipet e terrenit. Po punojmë 24 orë në 24. Nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për shkelësit e masave dhe protokolleve. Mund të bëhen burim i përhapjes së infeksionit. Por kjo duhet të jetë një përpjekje në vazhdim e të gjithëve “, tha Manastirliu.

Duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, Manastirliu tha se strategjia e qartë që po implementohet kërkon angazhim konkret nga të gjithë strukturat.