Merkel dënon komentet raciste të Trump

merkel-per-dridhjet-3.jpeg

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka dënuar sulmet verbale të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër katër kongresisteve me ngjyrë, duke thënë se ato “janë në kundërshtim me atë që e bën Amerikën madhështore”.

“Unë distancohem fuqishëm nga sulmet dhe shpreh solidaritet me gratë”, ka thënë Merkeli në një konferencë për medie në Berlin.

“Sipas mendimit tim, forca e Amerikës qëndron në atë se njerëzit me origjina të ndryshme kontribuojnë në madhështinë e vendit”, ka thënë Merkeli.

Të dielën, Trumpi u ka thënë katër kongresisteve amerikane që të gjitha qytetare të ShBA-së “të kthehen” në vendet e tyre të origjinës.

Edhe pse komentet e tij janë cilësuar si raciste dhe janë dënuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA, Trumpi i ka përsëritur deklaratat e tij.

“Nëse nuk jeni të lumtura këtu, ju mund të largoheni”, ka thënë Trumpi të martën.

Deklaratat e tilla kundër kongresisteve Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib kanë nxitur edhe reagim ndërkombëtar.

Kryeministrja në largim e Britanisë së Madhe, Theresa May, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të papranueshme”.

Ndërsa, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se ajo “absolutisht nuk pajtohet” me Trumpin.

Trumpi ka shkruar në “Twitter” se “nuk ka kockë raciste” në trupin e tij.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303