Mesazhi i madh që na e dha Tuzi i vogël

tuz-mal-i-zi.jpg

Pamjet e festës me Flamurin kuqezi të shqiptarëve të Tuzit na mbushën mbrëmë me krenari të jashtëzakonshme kombëtare.

Pas qindra viteve përpjekje për t’i zhdukur dhe asimiluar shqiptarët e asaj ane nuk kanë arritur që ta zhdukin shpirtin e shqiptarëve. Dhe kjo të bën vërtetë të ndihesh krenar.

Por malësorët e Tuzit dje na dhanë një mesazh të madh. Një ditë pas përvjetorit të Besëlidhjes së Shqiptarëve në Lezhë nga Tuzi u ringjall mesazhi i madh i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu: “Të gjithë bashkë jemi të pamposhtur”.

Kjo ishte fitorja më e madhe që na erdhi dje nga Tuzi. Ne shqiptarët përgjatë gjithë historisë sonë kombëtare sa herë kemi qenë të bashkuar kemi bërë gjëra të mëdha.

Të lavdishme e patëm epokën e Skënderbeut, jo vetëm sepse kishim në krye një gjenaral të madh, por sepse ishim të bashkuar në një qëllim. Arritje të jashtëzakonshme patëm si komb edhe gjatë Lidhjes së Prizrenit sepse u bëmë të gjithë bashkë në një qëllim. Formuam shtetin tonë sepse të gjithë bashkë u mblodhëm në Vlorë më 28 nëntor 1912. E kështu me radhë në raste të pafundme.

Mësimin e madh të malësorëve nga Tuzi duhet të respektojë sot e gjithë politika shqiptare në të gjitha trojet tona. Dhjetëra parti në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovë me të gjitha mosmarrëveshjet e tyre nuk bëjnë asgjë më shumë sesa thjesht cenojnë interesat kombëtare dhe përçajnë shqiptarët.

Bashkimi i politikës në Tuz bashkoi të gjithë shqiptarët atje. Nga e gjithë bota erdhën për të votuar. Ne të gjithë si komb bëjmë gjithçka për çështjen tonë kombëtare, na duhet vetëm të besojmë të gjithë bashkë në një qëllim.

Është detyrë e politikës, ngado ku jetojnë bashkëkombësit tanë, të bashkohen rreth Flamurit tonë kombëtar dhe detyrës së shenjtë të shërbimit ndaj Atdheut. /Real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303