Presidenti i vendit, Ilir Meta, dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë reaguar pas dy sulmeve të një pasnjëshme me 30 viktima në SHBA.
Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Twitter, shkruan se shqiptarët solidarizohen me kombin amerikan.
“Shumë i trishtuar dhe i tronditur nga humbjet e jetëve të pafajshme në ElPaso dhe Ohio në SHBA. Lutjet dhe mendimet e mia për familjet e viktimave. Solidaritet me kombin e madh amerikan“.
Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar në “Twitter” pas ngjarjeve në SHBA në El Paso dhe Ohio, ku humbën jetën mbi 29 persona nga dy sulme të dy personave të armatosur.
“Jam thellësisht i tronditur nga sulmet burracake dhe humbja e jetëve të pafajshme në El Paso dhe Ohio. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave dhe me të plagosurit. Shqiptarët në të gjithë botën qëndrojnë përkrah miqve tanë amerikanë dhe lutemi për familjet dhe të dashurit e tyre”, shkruan anglisht Lulzim Basha në Twitter.
Gjatë orëve të fundit, SHBA është përballuar me momente paniku, sulmi i parë ka ndodhur në një qendër tregëtare në Teksas, ku humbën jetën 20 persona, ndërsa i dyti në Ohio, duke shënuar 9 viktima.

