Presidenti Ilir Meta i ka kthyer sot në mëngjes një përgjigje letrës së Kuvendit të Shipërisë në lidhje me dekretet.
Kreu i shtetit sqaron të gjitha arsyet për shtyrjen e zgjedhjeve si dhe caktimin e një tjetër date të re (13 tetor).
Në përgjigjen e tij Meta shpjegon se vendosi që të shtyjë zgjedhjet për të garantuar unitetin e popullit shqiptar si dhe për t’i dhënë kohë palëve politike për dialog.
“Për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Metës.

